"Basha pranoi se 80% e bazës është me Berishën". Noka tregon përplasjen në mbledhjen e kryesisë

Deputeti demokrat Flamur Noka ka zbardhur detaje nga mbledhja e kryesisë së grupit parlamentar që u mbajt pasditen e sotme. Në një lidhje me skype me emisionin "Çim Peka live", Noka tha se në debatin që ka pasur me kryetarin e PD Lulzim Basha, ky i fundit u shpreh se nuk do të lejojë një kongres anti-amerikan.

"Unë i thashë se 80% e bazës është kundër vendimit tuaj për përjashtimin e zotit Berisha. Ai e çoi 3 herë Partinë Demokratike në fitore. Ai më tha se ishte dakord, por vendimi i tij nuk do të tërhiqej", u shpreh deputeti Flamur Noka.Noka tha se në debatin që pati me kryetarin Basha ai e ka cilësuar këtë vendim diabolizëm dhe ai po drejton një parti kundër një shumice prej 80 përqind.

"I thashë se kjo është diabolizëm. Ju po shkatërroni partinë. Ne ramë dakord që të mos e bënim publik debatin tonë dhe ndaj nuk fola në media, por kur shoh që nga zyra e shtypit e partisë dalin këto njoftime, unë nuk mund të hesht.

I thashë ke marrë një vendim kundër vullnetit të shumicës së partisë ndaj si mund të qëndroni ju në krye të partisë kur përfaqësoni vetëm pakicën. I thashë se ka marrë një vendim që shkatërron këtë parti dhe që hedh partinë në hone të padëshirueshme. Ia bëra të qartë se nuk do ta lejoj që partia që unë dua të përçahet", tha Noka. Më tej ai tregoi gjatë lidhjes në skype se kryetari Basha dhe strukturat e PD-së së Fierit janë thirrur nesër në Tiranë në ditën që Berisha do të shkojë në këtë qytet.

"Unë do të jem padiskutim në Fier. Unë jam për një parti më të bashkuar. Unë jam në kontakt me strukturat e PD në çdo cep në Shqipëri", tha Noka.I pyetur nëse ka pasur përplasje fizike me Bashën, Noka i quajti trillim të mediave të Ramës për të kaluar nga debati parimor në një përplasje banale.

"E njëjta gjë edhe sot me Salianjin. Ne kemi pasur një debat brenda në sallë sepse ai ishte me idenë që nuk mund të kishim një përplasje me amerikanët. I thashë vetëm që shtetari dhe pushtetari kanë vetëm një dallim për mënyrën se si marrin vendimet. Salianji shprehte respekt për Berishën, por mbante linjën zyrtare të partisë” – tha Noka në Syri TV.