Gjinushi: Pas tërmetit u shkund dhe qeveria, duhet të vaksinohen të rinjtë
Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi ishte i ftuar në një intervistë me moderatoren e Ora Neës Matilda Mcini, për të folur për studimin e publikuar sot në media mbi imunizimin e popullatës ndaj virusit COVID 19.
Efikasiteti i vaksinës
I pyetur në lidhje me idenë e hedhur për kryerjen e një doze të tretë të vaksinës, e mbështetur dhe nga hartuesit e studimit, Gjinushi tha se studimi tregoi se mbrojtja nga vaksina është efektive, krijohen antikorpet dhe në rrugë natyrale dhe në rrugë vaksinimi.
Lidhur me panikun e krijuar për rritjen e numrit të rasteve, Gjinushi e lidhi me natyrën e variantit të ri Delta, i cili është 2-3 herë më ngjitës se varianti që qarkulloi në dimër.
"Fakti që kurbat nuk kanë kapur as nivelin e pikeve të mëparshme, në kushtet kur kufizimet janë shumë të pakta, megjithatë kemi përhapje më të kontrolluar. Treguesi i dytë kryesor është se po të shohësh vendet e zhvilluara, si Spanja e Italia, tregojnë se vdekshmëria është disafish më e ulët. Atëherë të gjithë specialistët bashkohen në një zë se pavarësisht që dhe të vaksinuarit mund të riinfektohen, vaksina siguron mbrojtjen ndaj rasteve të rënda në masën 90 përqind. Ky është qëllimi të ulen rastet e hospitalizuara dhe të ulet vdekshmëria", tha z.Gjinushi.
Të rinjtë
Lidhur me hezitimin e të rinjve për tu vaksinuar, kreu i Akademisë së Shkencave, tha se që të kalojmë një dimër me sa më pak pasoja, duhet të vazhdojë ritmi i vaksinimit nisur nga rezultatet e studimit duhet që ritmi i vaksinimit të drejtohet më shumë ndaj të rinjve sepse janë më pak të vaksinuar, pasi ka rezultuar se popullsia studentore tek 53 përqind kanë fituar imunitet në mënyrë natyrale.
" Meqënëse është dimri para, nëse me alfën imuniteti i tufës kapej me 70 përqind, me variantin e ri imuniteti i tufës duhet të jetë më i lartë, është ky brez që infektohet dhe përhap, pa shtuar dikë që i kanë rënë antikorpet.
Shqipëria bën 10-15 mijë vaksinime dhe brenda një muaji fitohet imunitëti i mjaftueshëm për të pasur një dimër të qetë", tha kreu i ASH, Skënder Gjinushi.
Investimet për kërkimin shkencor
I pyetur nga moderatorja Matilda Mcini nëse institucioni i Akademisë së Shkencave është mbështetur me investime nga qeveria, Gjinushi tha se ky studim mbi imunizimin u realizua me fondet e qeverisë, e cila ka ngritur tashmë pranë Aakademisë së Shkencave dhe laboratorin e imunologjisë.
Ndërsa në lidhje me investimet që janë kërkuar për ngritjen e qendrave të reja të kërkimit shkencor, Gjinushi tha se shumë prej projekteve kanë mbetur pa u realizuar sic është qendra për sizmiologjinë.
"Sapo do të ngrihej kjo qendër, ra tërmeti. Janë krijuar harta të reja sizmiologjike që përcaktojnë zonat sizmike, që specifikojnë ndërtimet që duhet të kryhen ose jo. Fakt është që harta e re nuk është miratuar ende me akt qeveritar dhe vazhdon akoma një hartë e vitit '80, që është miratuar pas tërmetit që ra në Shkodër. Gjithmonë pas një tërmeti shkundet qeveria", u shpreh Gjinushi.