Sherri në bashkinë e Vlorës, Leli përplaset fizikisht me drejtorin, shoqërohen në polici
Përplasje fizike dhe akuza për ndjekje penale mes kryebashkiakut të Vlorës dhe drejtuesit të ujësjellësit të qytetit. Dritan Leli ka kërkuar largimin nga detyra të kreut të ndërmarrjes së bashkisë duke e akuzuar për shkelje. Ngjarja ka sjellë deri dhe ndërhyrjen e policisë që ka shoqëruar të dy palët.
Qetësia pas zgjedhjeve vendore mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të bashkisë së Vlorës. Dritan Leli ka zgjatur vetëm 5 muaj.
Përplasjet janë rikthyer këtë radhë mes përfaqësuesve të mazhorancës në qytetin bregdetar, madje duke përfunduar dhe në dyert e komisariatit të policisë ku u shoqërua Leli dhe drejtori i ujësjellësit.
Shkak është bërë kërkesa e Kryebashkiakut Leli për dorëheqja nga detyra të Shkëlqim Leskajt, i cili është njëkohësisht dhe anëtar i kryesisë së PS në këtë qytet.
Burimet kanë bërë të ditur se largimi është kërkuar në ditët e para të gushtit duke i argumentuar shkelje në punime të ndryshme që janë në kompetencë të ujësjellësit.
Leskaj mësohet se ka kundërshtuar të gjitha akuzat duke i kërkuar Lelit që çdo provë ta çojë për hetime në prokurori.
Përplasjet kanë vazhduar edhe këtë të hënë kur Leli i ka kërkuar drejtorit të ujësjellësit të lërë zyrën, duke i argumentuar se shkarkimi është kompetencë e bashkisë.
Burimet kanë bërë të ditur se ky qëndrim është shoqëruar me debat me tone të larta dhe me akuza të ndërsjellta.
Madje nuk kanë munguar as përplasjet fizike çka ka sjellë dhe kërkesën e komisariatit të Vlorës për t’i shoqëruar të dy palët në polici për të sqaruar rrethanat.
