Murati: Rama i plotfuqishmi mbi re, nuk rrezikohet nga askush. Debati si skenë teatri

Analisti për çështjet politike Erl Murati gjatë një interviste në televizionin "Ora News" me moderatoren Matilda Mcini e ka cilësuar problem serioz faktin që në Shqipëri mungon debati politik.

I ftuar për të folur mbi programin e qeverisë "Rama 3", Murati tha se debati serioz ka mbetur në kuadrin e teatrit, pasi ka munguar ballafaqimi i programit me rezultatet.

"Deputetët e opozitës u morën një orë në kuvend nëse është apo jo kryeministri i pranishëm në seancë.

Debati politik në Shqipëri ka pësuar regres, sa më pak të ketë debat aq më i keqinformuar është opinioni", tha analisti Erl Murati.

Sipas tij, opozita e sotme gjendet në një situatë jo të mirë, ku pas fitores së 3 mandateve radhazi nga PS ata po përballen dhe me problemin e  brendshëm në PD  me shpalljen "non grata" të Berishës.

Murati tha se  kjo avantazhon Ramën i cili sot qeveris i vetëm, me 74 mandate dhe një  opozitë në gjendje jo të mirë.

" Rama duket i plotfuqishëm, ai tashmë është mbi re dhe nuk rrezikohet nga asnjë aktor politik", tha analisti Erl Murati.

Sa i takon programit të të ri qeverisës që kryeministri Edi Rama prezantoi në kuvend, Murati tha se duhet pritur të paktën 6 muaj për të parë rezultatet.

"Programi është ambicioz  nëse realizohet, mbetet për tu parë realizimi i premtimeve sic është rritja e pagave, në fushën e infrastrukturës,  por nga përmbajtja e forma kemi të bëjmë me një qeverisje të vazhdimësisë", tha Murati.