Pasaporta e gjelbër, qeveria shqiptare negociata për njohjen e vaksinimit në BE
Brenda muajit shtator shqiptarët do të kenë mundësi të udhëtojnë dhe të qëndrojnë pa probleme në vendet e BE.
Ministria e Shëndetësisë ka nisur procedurat për njohjen e certifikatës së vaksinimit nga Unioni.
Duke përsëritur thirrjen ndaj të rinjve për të marrë vaksinat, Ministrja Manastirliu gjatë inspektimit të fushatës në Qendrën Shëndetësore numër 1, tha se ka pasur një rritje të interesit të kësaj grupmoshe.
"Kemi përfunduar të gjithë procedurat me BE për të integruar sistemet jo vetëm për kalimin e kufirit por gjithashtu dhe për aksesin ndaj shërbimeve në Evropë, të njihet Green Pass," tha Manastirli.
Në inspektim ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi edhe njëherë vaksinimin e detyrueshëm të studentëve ose në të kundërt nuk do të lejohen në auditore.
"Në auditore do hyjnë ata që vaksinohen," tha Rama.
Detyrimi i kryerjes së vaksinës është një e mirë për shëndetin publik u shprehën ekspertët e kësaj fushe Alban Ylli dhe Silva Bino.
"Ftojmë individët të krijojnë besimin, fillimisht ne e dimë që vijnë ata që janë më të kujdesshëm për shëndetin e tyre, por ka dhe persona rezistentë. Në të dyja rastet ne duhet të bashkëpunojmë sepse besojmë që duke parandaluar do prodhojmë shëndet, do krijojmë para."
"Studimet e fundit thonë që vaksinimi parandalon dhe Covidin e zgjatur, pra tek personat që mund të jenë vaksinuar dhe e kalojnë në forma të lehta nuk le as Covidin e zgjatur," tha Bino.
Brenda muajit dhjetor pritet që në vendin tonë numri i dozave të mbërritura të shkojë në 3 milion.
Aktualisht janë administruar 1,553,626 vaksina./OraNews/
