Dy vite në kërkim të strehës, asnjë shenjë për rindërtim, thirrja e qytetarit: Ju lutem vini dorë te unë
Kjo shtëpi në Yzberisht të Tiranës , ishte një nga qindra të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Familja Doko u detyrua ta braktisë pasi u kryen 4 ekspertiza të cilat konstatuan se ndërtesa kishte pësuar lëvizje deri në themele.
"I jam drejtuar institucionin në njësinë 6 dhe ata akoma nuk më kanë dhënë shpresë. Po bëj 5 muaj që rri me shpresë dhe akoma asgjë nuk është bërë. Unë jam i papunë, jam babai i 3 fëmijëve, s'kam asnjë në punë, edhe vetë jam i papunë. Një bonus që ka 5 muaj ma ka nxjerrë ministria çfarë do bëj. I kam bërë dhe një kërkesë bashkisë ata akoma s'më kanë kthyer përgjigje," thotë i zoti i shtëpisë.
Lorenci, i zoti i shtëpisë tregon se dhe për sa kohë objekti u konsiderua i pabanueshem, zgjidhja sipas autoriteteve ishte jetesa me qira, por bonusi u vonua.
"Nëntë muaj pa marrë bonus. Që nga shkurti unë kam dalë nga shtëpia dhe s'kam marrë bonus."
Ne këto kushte familja me 5 anëtarë, bën te ditur se prej 20 ditësh u rikthye në shtëpinë e dëmtuar me shpresën se dikush nga institucionet do të kujtohen për të.
"Unë kërkoj që të bëhet vlerësimi, që të dalë leja e ndërtimit dhe vlera. Shtëpinë e bëj vetë, jam në gjendje ta bëj vetë dhe për t'i lehtësuar ata."
Për t'i shpëtuar shembjes së shtëpisë, ndërsa ata jetojnë aty presin ndërhyrje nga bashkia e Tiranës.

