U kapën duke transportuar 11 klandestinë drejt Tiranës, në pranga "çifti" i të rinjve

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Policia e Korçës ka vënë në pranga 2 persona pasi u kapën duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm.

"U bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Z., 25 vjeç dhe A. F., 22 vjeçe, banues në Korçë" njoftoi policia.

Këta shtetas janë konstatuar mbrëmjen e djeshme nga Forcat Speciale "Shqiponjat", në dalje të fshatit Boboshticë, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip "Volkswagen", 11 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" kryer në bashkëpunim.