"Nuk rrihet më këtu", banorët e ish-kënetës akuza Bashkisë për plehrat: I mbledhin dhe i djegin natën
Në zonën e ish-Kënetës në Durrës situata e mbetjeve vijon të jetë alarmante, pasi prej të paktën 10 ditësh ato nuk po pastrohen. Banorët e shqetësuar kërkojnë zgjidhje urgjente nga institucionet.
Këto pamje vijnë nga zona e ish-kënetës në Durrës. Mbetjet urbane kanë mbushur rrugët e trotuaret.
Banorët e alarmuar thonë se plehrat nuk janë hequr nga aty prej më shumë se 10 ditësh.
"Plehrat kanë mbi 10 ditë këtu. Askush nuk interesohet. Vdiqëm nga mushkonjat, nuk hapim dot dritaret."
Banorët flasin për një masakër mjedisore.
"Nuk po marrim dot frymë nga plehrat dhe kanali që nuk është pastruar asnjëherë."
"Si të kalojë pak kohë, bëhet lëmi i madh, i futin zjarrin dhe nuk rrihet më këtu."
"Mbeturinat i djegin natën dhe mbulohemi nga tymi, nuk ka më keq."
Të shqetësuar drejtojnë gishtin nga Bashkia e Durrësit, e cila sipas tyre nuk po menaxhon situatën e mbetjeve.
"Shteti e ka në dorë, të gjithë paguajmë."
"Bashkia dhe qeveria kanë faj."
Si të mos mjaftonin mbeturinat, kanali i ujërave të zeza që kalon mespërmes lagjes krijon një tjetër situatë alarmante.
Bashkia e Durrësit është përfshirë disa herë këtë vit nga kriza e mbetjeve, ndërsa një kontratë e re me landfillin e Sharrës u tha se do të jetë zgjidhja përfundimtare e grumbujve të mbeturinave, por situata duket krejt ndryshe.
