"Zjarrvënësit të kalben në burg", banorët e Panajasë: U dogjën ullinjtë, u dogjëm ne

Një ditë pas zjarrit të frikshëm, banorët e Panajasë flasin për dëme kolosale.

"U dogjën ullishtet, u dogjëm ne. Ullinj nuk ka më, në prodhim ishin të gjitha".

Policia e Vlorës njoftoi se ka arrestuar dy punonjës pastrimi të një kompanie private dhe ka proceduar në gjendje të lirë një tjetër, të dyshuar si autorë të zjarrvënies.

Por vetë banorët janë dyshues, duke u shprehur se zjarri nuk nisi nga rruga ku pretendohet se punonjësit dogjën mbeturinat por nga poshtë.

"Ku ka mbeturina, zjarri erdhi poshtë nga Goreca. Ju vajtët te vendi ku ka dalë zjarri?Janë llafe".

Por kushdo qofshin autorët ata kërkojnë që të marrin ndëshkimin e merituar.

"Atë që vunë zjarrin të venë në burg dhe të mos dalin më. Gjynah, janë miliona lekë që janë djegur. Ullinjtë janë 4 vjeçar, të tjerët kanë nga 60 vjet. Nuk bëhet më. Po u dogj lëkura nga poshtë mbaroi".

"Të vjen keq se është mall. Zjarri erdhi nga poshtë, ka shumë dëme. Kush të kapet nga ata të kalbet në burg sa të jetë gjallë, të mos dalë më se marrin njerëzit në qafë. Jam 70 vjeçe me burrin dhe punojmë, mbjellim ullinjtë dhe këta vijnë të hedhin zjarrin. Asnjë prokuror dhe gjykatës të mos ketë mëshirë për zjarrvënësit".

Zjarri i një dite më parë u shoqërua dhe me shperthime municionesh që mendohet se janë të groposura që prej vitit të errët të '97-ës.

"Plasën fishekët, ja dha dhe një nga këto granatat. Këtej kalonin bandat. Këtu ka mbetur municioni".