Gjendet një kufomë e dekompozuar në Vaqarr, pritet ekspertiza mjekoligjore
Ka qenë ora 09:45 minuta kur një qytetarë ka telefonuar sallën operative të policisë për një trup të pa jetë këtu në fshatin Bulticë në njësinë administrative Vaqar.
Menjëherë forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje ku është konstatuar një trup rreth 70 përqind i dekompozuar, i seksit mashkull.
Rruga, e cila të çon drejt vendit të ngjarjes është një terren të vështirë.
Banorët e kësaj zone nuk ishin në dijeni të lajmit, por as të prezencës së forcave të policisë.
Sipas burimeve nga policia trupi është gjetur në afërsi të kësaj fabrike, e cila vite më parë ka shërbyer për përpunimin e ziftit.
Në vendin e ngjarjes u gjetën vetëm disa prej dorezave dhe maska anti-covid të cilët dyshohen të jenë përdoruar nga ekspertet në momentin që kanë konstatuar trupin e pa jetë.
Po të njëjta burime konfirmojnë se është ende e pa qartë identiteti i viktimës, por do të jetë mjekësia ligjore, e cila do të përcaktojë të dhëna të tjera për trupin e pajetë.
Nuk përjashtohet mundësia që vdekja e tij të ketë ardhur si pasojë e shkaqeve natyrore, apo edhe të jetë ekzekutuar e më pas është hedhur në vendin ku u gjet, për të humbur gjurmët. Sipas bluve po verifikohen në të gjitha komisariatet për persona që janë denoncuar si të humbur.

