Pas Durrësit, kokaina "Dior" shfaqet në Kosovë, dy shkodranë arrestohen në Vërmicë
Pakot e kokainës me logon “Dior” të cilat u sekuestruan për herë të parë më 18 qershor në portin e Durrësit, janë shfaqur sërish në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 9 kilogramë kokainë në një automjet të mbërritur nga Shqipëria duke vënë në pranga dy persona që po transportonin lëndën narkotike.
Lënda narkotike ishte paketuar në mënyrë identike me ngarkesën prej 324 kilogramë kokainë që iu kapën shoferit maqedonas Nazif Ajrovski në muajin qershor në portin e durrësit.
Ora News mësoi se në operacionin e përbashkët mes Policisë së Kosoves dhe Policisë së Shtetit mbrëmjen e të martës, 7 shtator, janë arrestuar shtetasit Elsaed Tirana dhe Elsajed Tallalli të cilët sipas regjistrit të gjendjes civile të dy të arrestuarit janë nga Shkodra.
Prangosja e tyre është bërë në datën 7 shtator rreth orës 21:45 në pikë kalimin kufitar Vërmicë menjëherë pasi kishin kaluar me automjetin e markës pezho nga shqipëria në drejtim të Kosovës.
Pas dyshimeve për fshehjen e kokainës automjeti i dy shqiptarëve është përzgjedhur për kontroll ndërkohë që verifikimi ka gjetur 9 pako me kokainë.
Kontrolli fizik I kryer brenda automjetit ka evidentuar se pakos me drogë ishin vendosur në pjesën e poshtme të sediljes së pasme.
Policia e Kosovës në deklaratën e saj për ngjarjen thotë se kokaina është zbuluar në sajë të bashkëpunimit mes të Doganës dhe policisë vendase fale ndihmës së ofruar nga autoritetet e Shqipërisë.
Paketimi i njëjtë me një pjesë të kokainës së kapur në qershor në portin e Durrësit duket se ka identifikuar një tjetër degë të këtij rrjeti të trafikimit kësaj radhe në derejtimin e kundërt që kalon nga kosova. Pjesë e kësaj linje në rrugë tokësore ishte edhe ngarkesa prej rreth 400 kilogramë kokainë e kapur në podujevë më më 17 maj të këtij viti.
