Durrësi "zhytet" në plehra, situata alarmante në ish-Kënetë, prej javësh mbetjet nuk hiqen
Në zonën e ish-Kënetës në Durrës situata e mbetjeve vijon të jetë alarmante, pasi prej të paktën 10 ditësh ato nuk po pastrohen, banorët e shqetësuar kërkojnë zgjidhje urgjente nga institucionet.
Këto pamje vijnë nga zona e ish-kënetës në Durrës.
Mbetjet urbane kanë mbushur rrugët e trotuaret.
Banorët e alarmuar thonë se plehrat nuk janë hequr nga aty prej më shumë se 10 ditësh.
“Plehrat këtu kanë mbi 10 ditë. Askush nuk interesohet. Vdiqëm nga mushkonjat."- shprehet qytetari.
Banorët flasin për një masakër mjedisore.
“Nuk po marrim dot frymë, as nga plehrat as nga kanali që është i papastruar. Mbeturinat vijnë i djegin natën dhe tymi mbulon gjithë vendit. Nuk ka më keq.”
Të shqetësuar drejtojnë gishtin nga Bashkia e Durrësit, e cila sipas tyre nuk po menaxhon situatën e mbetjeve.
“Shteti e ka në dorë. Të gjithë taksat i paguajmë. Shteti, Bashkia dhe qeveria kanë faj.”
Si të mos mjaftonin mbeturinat, kanali i ujërave të zeza që kalon mes për mes lagjes krijon një tjetër situatë alarmante.
Bashkia e Durrësit është përfshirë disa herë këtë vit nga kriza e mbetjeve, ndërsa një kontratë e re me Landfillin e Sharrës u tha se do të jetë zgjidhja përfundimtare e grumbujve të mbeturinave, por situata duket krejt ndryshe.





