Plumba për pronën në Shkodër, plagosen me sende të forta e armë dy vellezër, autori në arrati

Dy vëllezër u plagosën në Shkodër pas një konflikti për çështje pronësie. Lad dhe Ilir Gruda u qëlluan me sende të forta dhe me armë zjarri nga Xhevahir Fikaj, i cili tashmë është në arrati. Ngjarja u regjistrua rreth orës 09:15, e mërkurë, 8 shtator 2021.

Një konflikt për çështje pronësie mes dy familjeve përshkallëzoi në plumba në Shkodër.

Dy vellezër mbetën të plagosur në Fshatin e Ri, Njësia Administrative Rrethinat.

Siç njofton policia, fillimisht Xhevahir Fikaj u konfliktua fizikisht me Lad Grudën, 34 vjeç.

Ky i fundit mbeti i plagosur pasi u godit me sende të forta.

Sherri ka përshkallëzuar kur 34-vjeçarit i ka shkuar në ndihmë vëllai Ilir Gruda.

Ndaj këtij të fundit, Xhevahir Fikaj qëlloi disa herë me pistoletë duke e lënë po ashtu të plagosur.

Dy vëllezërit Gruda janë dërguar me urgjencë për në spitalin e Shkodrës ku morën ndihmë mjekësore dhe burimet thonë se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Xhevahir Fikaj, ndërkohë pasi la të plagosur dy vëllezërit Gruda është arratisur.

Policia e Shkodrës krehu zonën dhe ushtroi kontrolle por deri më tani nuk ka arritur të vërë në pranga.

Plumba për pronën në Shkodër, plagosen me sende të
Pamje nga vendi i ngjarjes

Grupi hetimor nën drejtimin e  Prokurorisë  ndodhet në vendngjarje  dhe vijon puna për  sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.

Konfliktet për pronat, janë një prej çështjeve më të nxehta të tranzicionit shqiptar dhe në 30 vite kanë shkaktuar disa qindra viktima dhe konflikte mes familjeve shqiptare.