Ballkani shtrëngon masat anticovid në kufi, shqiptarët lëvizin të lirë vetëm drejt Malit të Zi

Nisja e vjeshtës dhe shtimi i rasteve të infektimeve me variantin Delta të Koronavirusit, riktheu kufizimet në kufi mes vendeve të Ballkanit.

Certifikata e vaksinimit, është kushti kryesor.

Ata që nuk janë të vaksinuar, duhet të paraqesin testin PCR SARS-CoV-2 të kryer jo më vonë se 72 orë nga udhëtimi ose testin e shpejtë antigen jo më vonë se 48 orë.

Ky rregull vlen për lëvizjen drejt Kosovës, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut,  ku këtë mërkurë hynë në fuqi masat e reja shtrënguese.

Përjashtim bëhet për transportuesit dhe udhëtarët që kalojnë do të kalojnë tranzit, të cilët nënshkruajnë një dokument në pikat e kalimit kufitar.

Efekti i masave u ndje menjëherë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Udhëtarët ishin të paktë, ndërsa 24 orë më parë 3705 shqiptarë e të huaj hynë nga Qafë Thana dhe 3394 persona të tjerë dolën drejt Maqedonisë së Veriut.

Nga ky 1 Shtator, shqiptarët mund të lëvizin pa kufizime vetëm drejt Malit të Zi, që po mban në fuqi regjim të lehtësuar në kufi.

Ndërsa prej 6 Shtatorit, pasaporta e vaksinimit ose testet negative për koronavirus do të jenë kusht për të hyrë në Shqipëri nga të gjitha pikat kufitare tokësore, detare e ajrore.

Ata të cilët kalojnë  tranzit në Shqipëri, ndërsa fëmijët nën 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. Qytetarët rezidentë në Shqipëri që kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet do të izolohen për 10 ditë./OraNews/