Atentat në Malësinë e Madhe: Vritet në makinë, ish- polici Sokol Çelaj, shpëton bashkëshortja
58-vjeçari, Sokol Çelaj, që u ekzekutua mbrëmjen e 26 gushtit, në Malësi të Madhe rezulton se ka qenë ish- efektiv i Policisë së Shtetit dhe në vitin 1990 ka bërë një vrasje nga pakujdesia. Ai u sulmua me automatik në derë të shtëpisë, në kohën kur në makinë ndodhej edhe bashkëshortja që shpëtoi pa lëndime.
Malësi e Madhe- Sokol Çelaj, 58 vjeç, ish-efektiv i Policisë së Shtetit u ekzekutua në një atentat vetëm disa metra larg banesës së tij në Reç të Malësisë së Madhe.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:50 të së enjtes, 26 gusht 2021
Ai ndodhej në makinë me bashkëshorten kur një person ende i paidentifikuar u zuri pritë dhe i qëlloi me breshëri kallashnikovi.
Tetë plumba kanë kapur mjetin tip "Fuoristradë", dhe të paktën një zuri 58-vjeçarin që ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Bashkëshortja e Sokol Çelajt në dëshminë e parë ka thënë se nuk ka arritur ta identifikojë se kush ka qenë autori për shkak të errësirës.
"Sapo dolëm në rrugë të asfaltuar për të shkuar në Shtëpi, nga e djathta një person doli nga pylli dhe nisi të na qëllonte".

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve, por deri më tani pa rezultat.
Hetimet
Sokol Çelaj, rezulton se ka qenë për disa vite efektiv i policisë së Shkodrës ndërsa në vitin 1990 ka vrarë nga pakujdesia një mik të tij.
Hetimet sipas burimeve janë shtrirë në disa pista me të cilave vrasja për gjakmarrje
Por nuk përjashtohen as pista të tjera, siç mund të jenë konfliktet në Angli.
Sokol Çelaj, 58 vjeç, kishte vetëm pak ditë që kishte ardhur nga Anglia (18 gusht) për pushime në Reç të Malësisë së Madhe. Por pushimet u mbyllën me një atentat që i mori jetën.
(Shenim: Lajmi u publikua fillimisht ne oren 00:22 të 27 gushtit dhe u përditësua ora 11: 29 e 27 gushtit)

