Pasi la mandatin Najada Çomo tregon situatën në Infektiv: Të shtruarit janë të pavaksinuar, rritje e moshave të reja
Shefja e Infektivit Najada Çomo ka dhënë detaje për situatën pandemike të Covid-19 dhe të sëmurët që ndodhen në këtë spital.
Sipas saj numri i pacientëve të shtruar në spitalin Covid ka ardhur duke u shtuar dhe pjesa më e madhe janë pacientë të pavaksinuar. Gjithashtu, tha Çomo, vihet re një rritje e moshave të reja që janë infektuar.
Çomo: "Numri i pacientëve të shtruar në spitalin Covid ka ardhur duke u shtuar nga fundi i korrikut deri tani. Ajo që vihet re është që kemi grup mosha të ndryshme, ku veçohen edhe moshat 20 vjeç e lart. Pjesa më e madhe e pacientëve të shtruar janë të pavaksinuar. Është një element i rëndësishëm që të bëjmë thirrje për vaksinime sepse sot është arma më e fortë që ke për t'u mbrojtur nga Covid. Rritja e numrit të rasteve na orienton që ato struktura që kanë punuar në Covid 3 kanë mbetur të gatshme. Janë struktura të gatshme nga ana fizike dhe natyrisht shtohet stafi qoftë mjekë dhe infermierë do të punojnë."
Ministrja Manastirliu, e cila ishte e pranishme në ambientet e spitalit Covid1 bëri apel për vaksinim masiv, duke e cilësuar si armën e vetme që kemi për të luftuar pandeminë.
Manastirliu: "Shtatori është muaj i hapur për të vijuar vaksinimin +18 sidomos studentët të cilët do të jenë në auditore. Duhet të luajmë rol të gjithë për të nxitur sa më shumë në bërjen e vaksinës. Jemi të përgatitur për të përballuar çdo situatë. Presim të rihapim Covid-3 nëse mbushen kapacitetet. Duhet të kuptojmë që parandalimi ka rolin e vet. Sot përveç maskës dhe higjienës është edhe vaksina që është arma shpëtuese."
Më herët, ditën e sotme kryeministri Rama deklaroi se vaksinimi për studentët dhe pedagogët që do të hyjnë në auditore do të jetë i detyrueshëm.
