Emrat/ Identifikohen tre nga 5 viktimat e aksidentit tragjik në Qafë Muzinë, një trup i pajetë ende në furgon

Fiqiri e Dritë Korçari 77 dhe 72 vjeç, burrë e grua janë dy nga pesë personat që humbën jetën në aksidentin tragjik në Qafë Muzinë, që ndodhi pasditen e sotme  rreth orës 15:30. Çifti ndodhej në furgonin që ra nga lartësia 25 metra, i cili ishte nisur nga Saranda drejt Gjirokastrës.

Aksidenti ka ndodhur në zonën e njohur si Qafë Muzinë rreth orës 15:30, ku një fuoristradë e tipit “Land Rover”, e cila drejtohej nga Rexhina Çelhaka, 22-vjeçe, që sipas policisë po udhëtonte me shpejtësi i ka ndërprerë rrugën furgonit me targa ‘AA 484 T’, që si pasojë ka përfunduar në greminë.

Si pasojë e aksidentit  humbi jetën edhe drejtuesi i furgonit i identifikuar si Bardhi Prodo.

Deri më tani këto janë emrat e tre viktimave që humbën jetën tragjikisht në aksident, ndërkohë ende nuk është identifikuar emri i dy viktimave të tjerë.

Ora News, mëson se edhe pse kanë kaluar disa orë nga aksidenti, një nga viktimat ende nuk është nxjerrë nga furgoni.