Bledian Koka: Që opozita të mos ketë fytyrën e Erjon Braçes e Najada Çomos. Nuk i shërben ky lloj nënshtrimi ndaj Ramës
Analisti Bledian Koka ishte në studion e RTV Ora për të analizuar situatën politike një javë para se kryeministri Edi Rama të shpallë kabinetin e ministrave për të qeverisur Shqipërinë në mandatin e tretë.
E ndërkohë që Shqipërinë siç thotë ai e drejton kryeministri me disa ministra oligarkë, opozita ka braktisur vendin që pas 25 prillit.
A mundet që kjo heshtje të përkthehet në një bashkëqeverisje? Koka përpiqet të jetë i rezervuar por shton se edhe sikurtë shkojë drejt bashkëqeverisjes nuk i shërben ky lloj nënshtrimi,
Intervista në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma
RTV Ora: Pse po hesht opozita?
Bledian Koka: "Kjo është një pyetje shumë milionë dollarëshe. Nuk e kuptoj pse vijon të heshtë që prej 25 prillit. Kemi reagime të vakta të lidershipit.Faqja e fb e lidershipit të opozitës është kthyer në faqe përkujtimore e ngushëllime e në rastin më të keq në një shpërthim…"
Ndërhyn gazetarja Beti Njuma: E bëri një reagim dje pas konferencës së kryeministrit
Reagimi i djeshëm ishte një reagim a thua se në qeveri ka një kryeministër që bën dhe ndonjë gabim në qeveri. Një rrokullisje fjalësh e refrene të zakonshme që ka bërë.
Bledian Koka: "Pas 25 prillit këtu në Shqipëri nuk ka opozitë fare dhe kjo është akoma më e rëndë. Ne këtu kemi një status të Lulzim Bashës dhe kampin e LRI-së në Jalë. Nuk e kam parë kurrë Shqipërinë të jetë më e braktisur sesa sot, jo nga qeveria. Se këtu ka një kryeministër i cili ka ministra oligarkë. Ata që po marrin aeroportet, portin e Vlorës, Durrësit, Shëngjinit, ish portin e Sarandës. Ajo që është pasuri e shqiptarëve po menaxhohet nga këta ministra. Në këtë lloj turravrapi për ta ndarë pasurinë e shqiptarëve si plaçkë personale të 5+1 personave me kryeministrin në krye ky është lajm i keq. Nëse nuk ka një opozitë që e udhëheq qytetarin, e thërret madje dhe në protestë për ngjarjet të kësaj natyre siç është 110 milionëshi euro, e jo vetëm. Apo del në mbrojtje qytetarëve kur helmohet Fieri, apo qytetarëve që mbrojnë ujin e Sinecit e të sa e sa bëmave."
RTV Ora: Pse po hesht opozita? Mos ka lidhje me një ofertë për bashkëqeverisje apo ajo ofertë mori fund dje kur tha se javën e ardhshme shpall qeverinë.
Bledian Koka: "Marrëveshjet këtu bëhen brenda ditës e natës. Nuk më shqetëson kjo. PD edhe sikur bashkëqeverisje të jetë do futet si antagoniste për ta ndalur vrapin drejt shkatërrimit dhe grabitjes së vendit. Nuk do të futet si shtojcë apo SHPK për të marrë ca para më tepër.
Rezervoj të drejtën që derisa të shoh faktin e asaj që kam dyshim shumë të fortë ta shoh të materializuar, por deri atëherë unë them se ka opozitë edhe pse është opake dhe nuk do të reagojë.
Apo reagimet e saj në kufi të qesharakes e të braktisjes së qytetarëve. Edhe sikur ajo të tentojë të shkojë drejt bashkëqeverisjes nuk i shërben ky lloj nënshtrimi, aq më tepër ndaj një kundërshtari apo rivali apo ndoshta nesër aleati që zakonisht priret ta asgjësojë atë që ka përballë e ta nënshtrojë deri në heshtje këdo që ka afër.
Nëse opozita e sotme, do të ketë fytyrën e Erion Braçes dhe Najada Çomos që u thotë Edi Rama largohuni se nuk dua t'ju shoh më, dhe i nxjerr këto si dorëheqje e akte gjeniu të vetëdijes demokratike, kjo nuk është mënyra e duhur."