Aksidenti tragjik në Qafën e Muzinës: Shoferi për të shmangur përplasjen me fuoristradën përfundoi në greminë

Pesë persona humbën jetën në një aksident që mori përmasat e një tragjedie ne aksin Sarandë Gjirokastër pasditen e 26 gushtit 2021.

Një furgon pasagjerësh i linjës Sarandë Tiranë doli nga rruga dhe përfundoi në një greminë nga rreth 20 metra lartësi në qafën e Muzinës.

Mjeti u shkatërrua plotësisht ndërsa pasagjerët mbetën të bllokuar brenda tij. Fillimisht ishin udhëtarët ata që tentuan t'i nxjerrin dhe i dhanë ndihmën e parë  të mbijetuarve.

Ndërsa forcave zjarrrfikëse iu desh të presin dyert e furgonit dhe disa orë punë për të nxjerrë trupat e pajetë që kishin mbetur të bllokuar.

Viktimat e aksidentit

1- Bardhyl Proda  51 vjeç  banues në Sarandë – Shoferi

2- Fiqiri Korça, 77 vjeç, banues në Tiranë  - pasagjer furgoni

3- Dritë Korça, 72 vjeçe, banuese në Tiranë,  pasagjer furgoni

4- Tetiana Fediaieva, 48 vjeçe, banuese në Ukrainë pasagjer furgoni

5- Olesandr Fediaieva , 53 vjeç, banues në Ukrainë pasagjer furgoni

Emrat e të plagosurve

1- Greta Daberdini, 25 vjeçe banuese në Fier

2- Rexhina Çelhaga, 22 vjeç, drejtuese Land Rover

3- Ana Koskovila, 23 vjeçe banuese në Itali (pasagjere në Land Rover

4- Giulia Parimi, 22 vjeçe, banuese në Itali (pasagjere në Land Rover).

Baba i tre fëmijëve

Drejtuesi i mjetit është identifikuar si Bardhyl Proda, është mes viktimave. Ai mësohet se ishte baba i 3 fëmijëve dhe kishte vite që bënte linjën Tiranë Sarandë.

Përplasja fatale

Policia tha zyrtarisht se shkak për ngjarjen e rëndë u bë përplasja e furgonit me këtë makinë fuoristradë që drejtohej nga një vajzë 22 vjeçare.

Nga të dhënat e para, fuoristrada i ka dalë përballë furgonit pas një parakalimi të gabuar dhe shoferi në tentativë për të shmangur përplasjen ka humbur kontrollin e mjetit që përfundoi në greminë.

Lagështia në rrugë po ashtu besohet se ndikoi në aksidentin tragjik, por ekspertët e policisë ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit.

Mesazhet e ngushëllimit

Presidenti Ilir Meta përmes një mesazhi u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë përgjeshmëri në timon dhe policinë rrugore e strukturat e tjera të të marrin masa efektive për të parandaluar tragjeditë në rrugë.