"Kishte një parandjenjë", flet motra e 25-vjeçares të mbijetuar nga aksidenti tragjik me 5 viktima: Zoti është i madh
Nga aksidenti tragjik që ndodhi pasditen e sotme, 26 gusht në Qafë-Muzinë pati fatin që të mbijetonte vetëm një vajzë e re. Greta Daberdini, e datëlindjes 1996 nga Fieri, e cila ishte pasagjere në furgon ka arritur të dalë e gjallë dhe të dërgohet me urgjencë në spital.
Motra e saj ka folur për mediet e tronditur dhe ka thënë që është fat i madh që motra është gjallë.
"Të lutem se nuk jam as në gjendje... Ishte shumë e tronditur, qante. Tha që ishte mirë, më dhemb krahu, nuk e di. Ka thyer krahun. Kam pasur një komunikim vetëm 1 minutë në telefon, asgjë tjetër. Nuk ka fat më të madh. Nuk di se çfarë të them. Po vinte tek unë, se ishim në Sarandë. Edhe më tha që kishte një parandjenjë të keqe që dje. Zoti është i madh, nuk e di," tha ajo.
Aksidenti ka ndodhur në zonën e njohur si Qafë Muzinë rreth orës 15:30, ku një fuoristradë e tipit “Land Rover”, e cila drejtohej nga Rexhina Çelhaka, 22-vjeçe, që sipas policisë po udhëtonte me shpejtësi i ka ndërprerë rrugën furgonit me targa ‘AA 484 T’, që si pasojë ka përfunduar në greminë.
Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shoferi dhe katër pasagjerë që udhëtonin në një furgon pasi ky i fundit u përplas me një fuoristradë që drejtohej nga 22-vjeçarja Rexhina Çelhaka.
Viktima të aksidentit tragjik mbetën çifti i bashkëshortëve Fiqiri e Dritë Korçari 77 dhe 72 vjeç dhe dy shtetas nga Ukraina T. F., 48 vjeçe dhe O. F., 53 vjeç.
