Rruga që 'ha' miliarda, edhe 1 milionë euro shtesë për Unazën e re
Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpenzojë edhe 1 milionë euro të tjera për Unazën e Madhe të Tiranës.
Disa ditë pas hapjes së procedurave për ndërtimin e 7 loteve Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar në agjencinë e prokurimeve publike thirrjen për kompanitë që do të mbikëqyrin punimet.
Subjektet do të kenë afat deri në 10 shtator për të dorëzuar dosjet dhe ofertat.
Vlera më e lartë është përcaktuar për supervizimin e segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevard i ri-Shkozë që kap një vlerë prej 27.4 milionë lekësh.
Ndërkohë që për kompanitë që do të monitorojnë ndërtimin e unazës së jashtme në lotin e 4, 5, 6 dhe 7 do të vihen në dispozicion 69.5 milionë lekë të tjera.
ARRSH ka hapur rreth 1 javë më parë tenderat me vlerë totale rreth 130 milionë euro për ndërtimin e pjesës së mbetur të Unazës së Madhe.
Në total, tenderat janë ndarë në 7 lote, ku tre prej tyre janë nga ish-rrethrrotullimi Shqiponja te Lumit i Tiranës me një kosto rreth 61 milionë euro dhe gjatësi rreth 3 kilometra duke e çuar kështu koston e 1 kilometri rreth 20 milionë euro.
Ndërsa në katër lotet e tjera nga Sauku deri në Lumin e Tiranës vlera arrin në rreth 67.7 milionë euro dhe një pjesë e punimeve është realizuar. Gjatësia totale e këtyre loteve shkon në rreth 11 kilometra.


