Aksidenti me 5 viktima në Qafë Muzinë/ Meta: I pikëlluar për jetët e humbura, ngushëllime familjarëve
Presidenti Ilir Meta, ka reaguar për aksidentin tragjik me 5 viktima, mes tyre dhe drejtuesi i furgonit.
Aksidenti ka ndodhur në zonën e njohur si Qafë Muzinë rreth orës 15:30, ku një fuoristradë e tipit “Land Rover”, e cila drejtohej nga Rexhina Çelhaka, 22-vjeçe, që sipas policisë po udhëtonte me shpejtësi i ka ndërprerë rrugën furgonit me targa ‘AA 484 T’, që si pasojë ka përfunduar në greminë.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se ndihet e pikëlluar, ndërkohë që u ka shprehur dhe ngushëllime familjarëve të viktimave.
Gjitashtu Meta u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve, ndërkohë që i bën thirrje Policisë Rrugore dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse, që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik, të marrin çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve të tilla.
Postimi i plotë:
Thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë.
Ndaj dhembjen e thellë dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të gjithë solidaritetin familjarëve të tyre!
Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë dhe i përgëzoj autoritetet shëndetësore për kujdesin dhe ndihmën që po u japin në këto momente të vështira!
Një apel të fortë u bëj të gjithë qytetarëve për të udhëtuar me shumë kujdes dhe dëshmuar përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve, në mënyrë që të tilla tragjedi tronditëse të shmangen në të ardhmen.
E nxis Policinë Rrugore dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse, që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik, të marrin çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve kaq të rënda, që fatkeqësisht po bëhen kaq të shpeshta në rrugët e Shqipërisë.

