Polici, 2 mijë euro për ndërtim, Veselaj u arrestua pas denoncimit nga punonjësja e Bashkisë

Punonjësi i policisë, Levzat Veselaj, që u arrestua një ditë më parë akuzohet se ka marrë 2 mije euro nga një shtetas në mënyrë që ta lejonte atë të ndërtonte pa leje. Në hetim për këtë aferë janë edhe efektivë të tjerë të komisariatit numër 6 në Tiranë.

Inspektori i policisë i ndaluar një ditë më parë nga SHÇBA, Levzat Veselaj, akuzohet se i ka marrë 2 mijë euro një personi, si rryshfet ne mënyrë që ky i fundit të kryente një ndërtim pa leje në zonën e Kombinatit.

Ai  pritet te dalë parë gjykatës, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv, ndërsa mësohet se në hetim janë edhe efektivë të tjerë të komisariatit numër 6 në Tiranë.

Mësohet se 47-vjeçari, me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë Kriminale pranë këtij Komisariati, u ndalua pas kallëzimit të një punonjëseje të bashkisë së Tiranës, e cila kishte konstatuar ndërtimin dhe menjëherë ka nisur hetimi në lidhje me këtë rast.

Pas hetimit të policisë, rezultoi se punonjësi i policisë Veselaj gjatë një periudhe kohore të vazhdueshme, ka kryer veprime aktive, në shpërdorim të funksionit të tij, duke kërkuar dhe marrë shuma monetare të paligjshme. 

Ai ka premtuar mosveprimin e strukturave policore për ndërprerjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimeve pa leje dhe këtë e bën edhe kundrejt pagesës.

Por hetimet kanë përfshirë edhe punonjës të tjerë të këtij komisariati që dyshohet se mund të kenë bashkëpunuar me inspektorin e arrestuar.

Ky është rasti i dytë brenda një jave që shërbimi për çështjet të brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme çon para drejtësisë punonjës policie të inkriminuar me veprimtari kriminale.

Pak ditë më parë u prangos edhe efektivi i RENEA-s, Rael Luli, pasi dyshon i përfshirë në trafikun e kokainës në kryeqytet.