Me shpejtësi deri në 174 km/h, pa lejë drejtimi dhe të dehur, policia arreston 7 shoferë

Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet  në të gjitha rrugët e vendit, për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar mjete që lëviznin me shpejtësi që arrijnë deri në 174 km/h dhe drejtues mjetesh që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

"Si rezultat i kontrolleve janë arrestuar 7 shtetas, nga të cilët 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi, janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilat 29 për shpejtësi deri në dyfish mbi normën e lejuar dhe 14 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, 1495 drejtues mjetesh, për shkelje që përbëjnë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore," informon policia.

Policia e Shtetit, nisur edhe nga fakti i prezencës së lagështirës në rrugë, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, që të bëjnë kujdes, të respektojnë në maksimum rregullat e qarkullimit rrugor, të mos abuzojnë me shpejtësinë, por të qarkullojnë duke respektuar normat e lejuara dhe sinjalistikën rrugore, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe të vendosnin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.