Shitja dhe raportimi i policave të sigurimit, sanksione kur konstatohen numra identifikimi të dubluar apo të paidentifikuar

Të gjithë drejtuesit e mjeteve që kanë një policë sigurimi do të ndëshkohen në rast se konstatohen me numra identifikimi të dubluar. Në draftin e nxjerrë për konsultim nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare saktësohet se policat e sigurimit do të verifikohen nëpërmjet numrit unik, i cili duhet të fillojë çdo vit me dy shifrat e fundit të vitit aktual.

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka hartuar dhe nxjerrë për konsultim rregulloren për mënyrën sesi do të kryhet shitja dhe raportimi i policave të sigurimit të detyrueshëm.

Objekti i saj është përcaktimi i procedurave për mënyrën e funksionimit, identifikimit dhe raportimit të të dhënave të shitjes së kontratave në regjistrin elektronik online.

Rregullorja saktëson se policia e sigurimit identifikohet nëpërmjet numrit unik të gjeneruar automatikisht nga regjistri dhe printohet në hapësirën përkatëse të saj.

Ky numër duhet të fillojë me dy shifrat e fundit të vitit aktual.

Në këtë rregullore janë parashikuar edhe sanksione për raste kur konstatohen numra identifikimi të dubluar apo të paidentifikuar.

Në zbatim të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit është reflektuar në rregullore detyrimi i shoqërive të sigurimit që të plotësojnë të gjithë rubrikat e policës me çdo të dhënë të kërkuar pasi ato do të përdoren për të njoftuar pronarët e mjeteve të transportit 15 ditë përpara mbarimit të policës ekzistuese të sigurimit.