Arrestohet ish-drejtori i postës së Korçës dhe ish-specialisti i sigurisë, 7 zyrtarëve u ndalohet të dalin jashtë shtetit
Ish-drejtori i postës së Korçës është arrestuar ndërkohë që nën akuzë janë vendosur edhe tetë ish vartës të tij me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve. Përveç drejtorit dhe një ish-specialist që janë arrestuar, edhe 7 personave të tjerë u është ndaluar dalja jashtë vendit. Dëmi ekonomik nga abuzimet e personave në hetim sipas policisë llogaritet në 23 milionë lekë.
Ish-drejtori i filialit të postës në Korçë Valter Gora së bashku me ish-specialistin e sigurisë Albano Bibo janë vënë në pranga nga policia me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.
Policia Korçës dhe e Pogradecit ekzekutuan masat e sigurisë të vendosura nga gjykata edhe për 7 persona të tjerë të cilëve u është ndaluar dalja jashtë vendit. Policia thotë se është provuar se shuma totale e përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga drejtori Valter Gora është 23.535.000 lekë, shpenzim ky i paargumentuar mbi fondet e programuara të këtij institucioni.
Pas hetimeve për abuzimin, në hetim janë vendosur 41 vjeçari Valter Gora, ish-drejtor i Postës Shqiptare në Korçë dhe Albano Bibo 34 vjeç, ish-specialist sigurie pranë këtij institucioni, ndaj të cilëve është vendosur masa e arrestit.
Ndërkohë u është ndaluar dalja jashtë vendit shtetasve Anila Koroveshi, përgjegjëse e shërbimeve pranë Postës Shqiptare Dega Korçë; Kamela Myrte llogaritare e pare; Adriana Koxheri, specialiste shërbimesh; Bardhyl Pane agjent kontrolli; Elona Galo, përgjegjëse pranë Postës Shqiptare Dega Pogradec; Bledian Çoçka punonjës shërbimesh pranë Postës Shqiptare Dega Maliq; Ermira Morava shefe e financës pranë Postës Shqiptare Dega Korçë.
Në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim edhe një qytetar i identifikuar si Sokol Mullaj. Ish-drejtori i Postës Valter Gora kishte dhënë me qira 2 ambiente në Pogradec ndërsa në bashkëpunim me Mullajn kishin falsifikuar dokumente, sikur ishte ky i fundit pronar i objekteve.
Nga hetimet dyshohet se nëntë të dyshuarit duke ushtruar detyrat respektive pranë filialeve të postës në Korçë, Pogradec dhe Maliq, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të shtetasve të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni, prej të cilave ish-drejtori, ka përfituar shuma të konsiderueshme, në mënyrë direkte ose indirekte.
