“Mbushën” malet e arat me kanabis, në kërkim kreu njësisë Administrative Ungrej në Lezhë
Drejtuesi i njësisë administrative Ungrej në Lezhë është shpallur në kërkim nga Policia pasi akuzohet i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike. Gjykata kishte urdhëruar arrestimin e tij, por dyshimet janë se operacioni u dekonspirua. 5 persona janë vënë në pranga sot në disa zona pasi kultivonin hashash në male e ara.
Kryetari i Njësisë Administrative Ungrej, Gëzim Kola dhe persona të tjerë janë shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
Urdhër arresti për funksionarin vendor është lëshuar pasi gjykata e ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për "Shpërdorim detyre" dhe "Kultivim i bimëve narkotike".
Ndërkohë policia është vënë menjëherë në lëvizje për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, por deri tani është arritur të prangoset vetëm shtetasi Zef Broci, banues në fshatin Zimaj të Njësisë Administrative Ungrej.
Dyshimet janë se operacioni mund të jetë dekonspiruar dhe kreu i njësisë administrative është lajmëruar që të largohet për ti shpëtuar arrestimit.
Hetimi që zbuloi përfshirjen e Kryetari i Njësisë Administrative Ungrej në Lezhë në kultivimin e drogës u drejtua nga prokurori Françesk Ganaj dhe nisi pas zbulimit dhe asgjësimit të rreth 4 mijë bimëve kanabis sativa nga Forcat Speciale RENEA në fillim të qershorit.
Edhe policia e Shkodrës thotë se goditi grup kriminal i cilësuar me rrezikshmëri të lartë, që merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike, por në pranga përfundoi vetëm një person.
Florjan Gilaj, në bashkëpunim me persona të tjerë kultivonte kanabis në një zonë të pyllëzuar, por kur policia ndërhyri dy shokët arritën të shpëtojnë dhe tashmë janë në kërkim.
Ndërkohë dy vëllezër u arrestuan në Skrapar pasi kishin nisur kultivimin e bimëve narkotike, ndërsa blutë e Durrësit arrestuan 32 vjeçarin në kërkim Elvis (Vasil) Mërtiri, i cili ishte shpallur në kërkim pasi gjykata e ka dënuar me 5 vite burg për të njëjtën veprimtari.

