Legalizimi i ryshfetit? Rama reagon ashpër për propozimin e mjekut: Turp! Do u rrisim pagat me 40%
Kryeministri, Edi Rama, e ka cilësuar të turpshëm propozimin e një mjeku për legalizimin e ryshfetit. Gjatë inagurimit të punimeve për maternitetin e ri, Rama tha se korrupsioni nuk mund të legalizohet, ndërsa shtoi se qeveria ka në plan të rrisë me 40 përqind pagat e mjekëve. Sipas tij rritja do të jetë progresive në varësi të punës dhe të shërbimit.
Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra në protestën e mjekëve të spitalit të Traumës pak ditë më parë ku një prej bluzave të bardha propozoi legalizimin e ryshfetit.
Kryeministri theksoi se qeveria ka në plan të rrisë pagat e mjekëve deri në 40 përqind.
Rama vuri në dukje se megjithë planin për rritjen e pagave të mjekëve, shpërblimi për ta do të jetë në varësi të shërbimit që ofrojnë dhe natyrës së punës.
Edi Rama: Më bëri shumë përshtypje përpara pak ditësh një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtet mbresëlënëse për nga niveli i kurajos dhe paturpësia e propozimit. Patjetër që niveli i shpërblimit të mjekëve dhe infermierëve duhet rritur dhe ne do ta rrisim siç e kemi rritur në vitet pararendëse. Nuk është zotim elektoral, zgjedhjet kanë mbaruar sapo, por një zotim që është planifikuar të mbahet që paga për bluzat e bardha të rritet deri në 40%.
Edhe kjo nuk është se i thotë të gjitha se ne me autonominë spitalore ne duam të kalojmë në një nivel tjetër të konceptimit të shpërblimit të mjekut duke krijuar një dysheme, por duke krijuar dhe mundësinë që mbi atë dysheme mjekët të mos paguhen njësoj por sipas mundit, volumit dhe cilësisë së shërbimit që bëjnë individualisht. Por që të thuhet se ka ardhur koha që të legalizojmë ryshfetin është një mesazh kuptimplotë për domosdoshmërinë që gjithë lëvizja antikorrupsion në sistem, në gjithë sistemin tonë shtetëror e cila ka filluar të ndjehet, të shtrihet shumë më thellë.
Nuk mund të ketë në asnjë mënyrë një barazim të gjithë mjekëve, të gjithë bluzave të bardha në përceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e familjarëve dhe pacientëve sepse e vërteta nuk është kështu. Por që ndarja mes kësaj shumice që e nderon sistemin tonë shëndetësor dhe është aty për të konfirmuar faktet që lidhen me sa shumë ndërvperime kryhen në funksion të pacientëve dhe sa shumë rezultate arrihen duke vënë në shërbim të tyre gjithë dijet dhe mundin bën nga ana tjetër që të jetë absolutisht e domosdoshme që mjekëve dhe infermierëve që trondisin opinionin publik kur papritur shfaqen si gjapirës të ndiqen dhe të përndiqen deri në fund nga forca e ligjit.
Për këtë arsye kemi në proces ndërtimin e një rrjeti të tërë antikorrupsion nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re, për të vendosur në një presion të dyfishtë të gjithë sistemin tonë publik.Të gjitha ato që bëjmë humbasin një pjesë të rëndësishme të vlerës së tyre në rast se sistemi vazhdon të ushqejë parazitë dhe grabitqarë që janë aty për ti shërbyer shtetit dhe njerëzve. Edhe në spitale kemi filluar të vendosim dhe do të shtrijmë deri në fund rrjetin e individëve që do të jenë aty vetëm për këtë punë, për të ndarë të njomin nga i thati.
Nuk mund të ketë luftë ndaj korrupsionit nëse ajo nuk zhvillohet brenda shtetit, të gjithë institucionet ku harxhohen fonde publike, ku paguhen rroga me taksa të qytetarëve dhe ku njerëzit marrin shërbimin. Lufta duhet të zhvillohet brenda në radhë të parë, vetëm kështu do rriten të ardhurat, besimi, solidariteti, dinjiteti, respekti dhe do të vendosen në vendin që e meritojnë ata të cilët bëjnë detyrën.
Vetëm kështu Shqipëria do të ngjitet në atë majën ku prej shumë vitesh është penguar të ngjitet dhe vetëm kështu shteti do të bëhet aleati dhe bashkëudhëtari i domosdoshëm dhe besnik i qytetarëve. Në të kundërt është shumë e vështirë. Edhe kjo është tejet e vështirë por jo e pamundur. Këto që po ndodhin janë shenjat e para të një ndryshimi që do të shkojë duke u thelluar dhe një lëvizje që do të bëhet akoma më gjithëpërfshirëse në çdo nivel.
Shteti nuk mund të jetë një 'rifuxho pekatorium' për mëkatarë dhe për grabitqarë në kurriz të qytetarëve që shtetin e mbajnë në këmbë me kontrubutin e tyre. Nuk mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve, nuk mund të mëkatohet me lotët e familjarëve, nuk mund të mëkatohet me djersën e qytetarëve në asnjë sistem brenda përbrenda sistemit të përgjithshëm shtetëror. Këto janë mëkate që shkojnë shumë përtej personales dhe që përfshijnë në mënyrë shumë të rrezikshme dhe shpesh herë si një kancer vdekjeprurës kolektive, të përbashkët.
Deklaratat e Kryeministrit u bënë në ceremoninë e vendosjes së gurit të parë të themelit të godinës së re të maternitetit "Mbretëresha Geraldinë "në Tiranë.
Ministria e Shëndetësisë tha se me këtë ndërtim të ri rriten kapacitetet spitalore në 360 shtretër, ndërsa numri i shtretërve në terapinë intensive do të dyfishohet, duke mundësuar pritjen e 7 mijë lindjeve në vit dhe duke iu shërbyer mbi 20 mijë pacientëve çdo vit.
Projekti parashikon rritjen e kapaciteteve edhe për sallat e operacionit, nga 6 që janë aktualisht, në 10 të tilla.

