Tenderi për uniformat / Gjata: SPAK mos të justifikohet me ‘peshqit e vegjël’, të kapë Ramën
Partia Demokratike ka reaguar përsëri lidhur me tenderin 25 milionë euro për Uniformat e Policisë.
Nga jashtë ambienteve të Gjykatës Penale, sekretari i PD për çështjet ligjore Çlirim Gjata, në një deklaratë për mediat ka folur në lidhje me aksionet e SPAK ditët e fundit.
Gjata tha se çdo abuzim ndodh me lejen e shefave të mëdhenj, ndërsa shtoi se është habi që ish-ministri Sandër Lleshaj nuk ishte në dijeni për tenderin e uniformave.
Sipas tij SPAK nuk duhet të justifikohet me të ashtuquajturit “peshqit e vegjël”, por ky institucion duhet të “gërmojë” edhe me thellë.
“Çështja në fjalë është e vjetër, që e kam bërë një deklarim për një abuzim me fondin e ish-parkut olimpik. Bëhet fjalë për 800 mijë euro. Pavarësisht se ndodhemi në gjyq për shpifje, këtu duhet të dimë se çfarë po ndodh. Kur doli tenderi për Uniformat e Policisë, Lleshaj paditi PD-në. Që SPAK bëri arrestimin e 9 zyrtarëve, Lleshaj doli dhe tha se nuk ishte në dijeni. Por si mund të mos ishte në dijeni kur shkoi dhe paditi PD-në. Si ka mundësi që nuk di gjë as ministri, as zv.ministri apo dhe zyrtarët?
Ne po i kërkojmë kësaj prokurorie që duhet të shoh më seriozisht dhe të hyjë më thellë brenda unazës së Tiranës, në institucionet për të rëndësishme. SPAK për gjithë këtë që u bë në drejtësi, s’mund të kapë ‘një peshk’ që qenka korruptuar me peshk. Ne e inkurajojmë, por s’duhet vetëm kaq. S’duhet të rrish t’i në nivel të një kryetari bashkie, apo zv.ministri. Korrupsioni në Shqipëri është më i thellë se kaq. SPAK nuk është në nivelet e tij nëse nuk futet më tej. Misioni është më i madh. Megaaksioni duhet të nis nga lartë, që është kryeministri Rama, koka e qelbur e peshkut të madh.”, tha Gjata.

