Thirrja e Sindikatës shqiptare në Europë për qeverinë, Meta: Paga minimale e mjekëve të bëhet 1500 euro!

Mjekët kërkojnë rritje të pagës minimale, si të vetmen zgjidhje për të ndaluar hemoragjinë e bluzave të bardha.

Elona Meta, përfaqësuese e Sindikatës së Mjekëve Shqiptarë që punojnë në Europë, kërkon që paga minimale të shkojë në 1500 euro, duke marrë parasysh edhe nivelin e rajonit.

"Vitin e kaluar ne bëmë ne bëmë një kërkesë me një grup mjekësh, 7 mjekë të cilët jetojnë jashtë, në lidhje me rritjen e pagave.Kjo kërkesë ju dërgua BE sepse e pamë që kishte një indiferencë të qeverisë shqiptare. Menduam që përveç ne që punojmë jashtë, në bashkëpunim me Sindikatën Shqiptare, të rrisim impaktin tonë në lidhje me zbatimin sa më të shpejtë të kërkesës tonë për pagën minimale të mjekëve shqiptarë 1500 euro."

Përveç pagës, mjekët u ankuan dhe për mbajtjen nën arrest të dy kolegëve të Traumës që u kapën në një situatë korrupsioni.

Sipas tyre, kjo masë është e ashpër dhe e panevojshme pasi bluzat e bardha nuk mund të trajtohen si kriminelë.

"E dimë që në 30 vite demokraci janë bërë shumë arrestime të mjekëve për arsye të korrupsionit edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, korrupsioni është rritur dhe më tej dhe kjo nuk është një zgjidhje. Kjo ka ndikuar negativisht te mjekët që jetojnë në Shqipëri, duke qenë të pakënaqur."

Në Shqipëri, një mjek paguhet vetëm me 200 lekë të rinj për një operacion dhe rreth 4 mijë lekë për dezhurnet.

Këto pika, sipas bluzave të bardha, duhet të ndryshojnë.

Kërkesa e mjekëve shqiptarë në Europë vjen pas protestave në spitalin e Traumës.