Tentoi të kalonte në kufi 9 emigrantë ilegalë, arrestohet 24-vjeçari me precedent të mëparshëm penal
Një 24 vjeçar, i dënuar edhe më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, është arrestuar ditën e sotme pasi është kapur duke kaluar në mënyrë të paligjshme 8 emigrantë.
Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi E. S, dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, I. Sh., 23 vjeç.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë koordinuar vendndodhjet nëpërmjet opsionit “Location” në aplikacionin “Whatsapp”, kanë tentuar të transportojnë me mjetet e tyre private, kundrejt shpërblimit monetar, 9 shtetas emigrantë të paligjshëm, nga Tirana drejt qytetit të Kukësit, me qëllim kalimin e tyre drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian. “- njofton policia.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar dy automjete “Mercedes-Benz” dhe disa aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

