Shkodër/ Prodhonin dhe shisnin lëndë narkotike, arrestohet një person, në kërkim 2 të tjerë
Goditet një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar "Lotaj" në pranga ka rënë Florjan Gilaj 24 vjeç, ndërkohë janë shpallur në kërkim shtetasit A. G. dhe K. B., të dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë uniformat blu kanë sekuestruar lëndë narkotike dhe tre telefona celularë.
“Gjatë operacionit rezultoi se në një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Lotaj, këta shtetas po ushtronin veprimtari kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit. Në brendësi të zonës së pyllëzuar u konstatua edhe një stan të cilin këta shtetas e kishin përshtatur për të fjetur, ku u gjet dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar marijuanë. “- njofton policia.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” të kryera në bashkëpunim.

