Zbulohet varri masiv i viktimave të diktaturës në lagjen e re të Përmetit

Një varrezë e dyshuar e viktimave të komunizmit është zbuluar në Përmet gjatë punimeve për shtrimin e një rruge. Shoqata Antikomuniste e ish të përndjekurve politikë, reagoi duke thënë se në këtë zonë gjatë regjimit komunist ndodhej një repart ushtarak ku vriteshin disidentët. Përfaqësuesit e Shoqatës denoncuan edhe heshtjen e autoriteteve shtetërore për këtë rast.

Një varresë masive që dyshohet se i përket kohës së regjimit komunist është zbuluar në Përmet.

Deri më tani janë zbuluar 4 varre, por dyshohet se në një sipërfaqe prej rreth 100 metra katrorë mbi të cilin po ndërtohej një rrugë, janë vendosur trupat e pa jetë të armiqve të Partisë Komuniste.

Kreu i Shoqatës Antikomuniste të ish-të përndjekurve politik, Nebil Çika, tha se në këtë zonë gjatë diktaturës ndodhej një bazë ushtarake që shërbente edhe për ekzekutimin e disidentëve që kapeshin në kufi.

"Janë katër varre që ne dyshojmë se janë të të zhdukurve nga diktatura komuniste, të pushkatuarve. Ndërtesat që janë nderuar këtu, dyshohet se janë bërë mbi varre. Në diktaturën komuniste këtu ka qenë një repart ushtarak i Ministrisë së Brendeshme. Deri në vitin 1991, ka qenë qendra më e madhe për stërvitjen e ushtarëve të kufirit. Përdoreshin edhe për vende ekzekutime për kundërshtarët".

Edhe pse kanë kaluar dy javë që nga gjetja e eshtrave, sipas Çikës institucionet kanë mbyllur sytë dhe askush nuk e ka marrë seriozisht këtë zbulim.

"Jemi këtu për të denoncuar jo vetëm gjetjen e eshtrave, këtu kemi një skenë krimi, duhet të kishte roje të armatosur, mund të vij dikush në darkë që të vijë ti heqë. La dy javë, nuk ka ardhur as prokuroria për të filluar hetimet, nuk ka ardhur asnjë ligjor, as oficer policie, as arkeolog dhe asnjë."

Në Shqipëri janë identifikuar deri më tani 29 vende ku dyshohet se ndodhen trupa të të burgosurve politikë, të vrarë në periudhën e regjimit komunist.

40 vitet e diktaturës komuniste në vendin tonë, ishin ndër më të egrat në Europë ,ndërsa llogariten 7 022 shqiptarë të vdekur në internim, 984 të vdekur në burgjet çnjerëzore dhe 6023 të pushkatuar si armiq të partisë shtet.