"Ku do hamë bukë ne?" 150 punëtorë bllokohen në Qafë-Thanë, nuk lejohen të kalojnë në Maqedoninë e Veriut
Qindra punëtorë nga zona e juglindjes së vendit për të dytën ditë më radhë nuk lejohen të kalojnë në Maqedoninë e Veriut nga pika kufitare e Qafë Thanës.
Edhe të shtunën ata i janë drejtuar kufirit, për të kaluar në shtetin fqinj për të punuar, por pasi kanë pritur me orë të tëra janë detyruar që të kthehen në shtëpitë e tyre.
"Katastrofë, çfarë ët ndodhë më këtu."
"Dje erdha më kthyen, erdha sot më kthyen. Më thanë nuk lejohet të kalosh."
"Dje kam ardhur dhe nuk më lejuan të kaloj, më thanë kemi urdhër dhe më kthyen."
Shkak për këtë ndalesë është bërë vdekja e një punëtori shqiptar në Maqedoninë e Veriut që punonte në të zezë, ndërsa dogana maqedonase ka thënë tanimë që punëtorët duhet të kenë kontrata.
"Është vrarë një person thonë këta dhe nuk keni sigurime."
Punëtorët thonë se kanë 10 vite që punojnë në Maqedoninë e Veriut, por nuk janë përballur asnjëherë me një situatë të tillë.
"Unë kam 10 vjet. Nuk kemi pasur asnjëherë probleme."
Ata I kërkojnë nga autoritetet shqiptare që të gjendet një zgjidhje, pasi puna matanë kufirit është e vetmja mundësi të ardhurash për ta.
"Ku do punojmë ne? Ku do hamë? Çfarë bën shteti jonë? Le të na mbajë këtu."
"Nuk e kuptojmë fare se nga kush varemi. A kemi shtet a s'kemi? Do kthehemi mbrapsht. Ku të hamë? Këtu s'ka punë fare."
Çdo ditë në Maqedoninë e Veriut nga Qafë Thana kalojnë më shumë se 150 punëtorë shqiptarë.
