Policia mobilizohet pas kritikave të Ramës, masa në mes të sezonit, angazhohen 1607 policë

Policia e Shtetit nuk ka humbur kohë, një ditë pas kritikave të ashpra që adrestoi kryeministri Edi Rama. Zv/Drejtori i Përgjithshëm Albert Dervishaj ka deklaruar angazhimin e 1607 punonjësve për sezonin turistik edhe pse plazhet në mbarë vendin janë hapur tashmë prej tri javësh. Vëmendje policia ka deklaruar edhe për ndërtimet pa leje dhe krimet mjedisore për të cilat Kryeministri tha se janë kthyer në burim korrupsioni për uniformat blu.

Një ditë pas kritikave të forta të kryeministrit Edi Rama në adresë të Policisë së Shtetit, kjo e fundit deklaroi mobilizimin e 1607 punonjësve të rendit, në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në të gjithë vijen bregdetarë të vendit.

Masat për periudhën e verës u deklaruan në një kohë që sezoni turistik ka filluar me disa ngjarje të rënda në plazhe si në Sarandë, Dhërmi dhe Velipojë, ku përdorimi i armëve të zjarrit ka sjellë viktima dhe prishje të qetësisë publike.

Zv/Drejtori i Përgjithshëm, Albert Dervishaj,në një dalje për mediat,  përveç shifrave, vuri theksin edhe tek kontrollet shtesë në pikat e kalimit kufitar dhe rritjen e kontrollit në kufirin e gjelbër për parandalimin e kontrabandimit të emigrantëve, kryesisht nga vendet e treta.

"Edhe nga Policia Kufitare dhe Migracionit janë parashikuar masa si në drejtim të planifikimit të kontrollorëve shtesë në Pikat e Kalimit Kufitar, rritjen e kontrollit në kufirin e gjelbër për parandalimin e kontrabandimit të emigrantëve kryesisht nga vendet e treta dhe në tërësi për parandalimin e krimit ndërkufitar, por edhe për forcimin e kontrollit në kufirin blu".

Numri dy i policisë përmedi edhe aksionin e nisur prej më shumë se 1 muaji nga IKMT për prishjen e çdo objekti, i cili është ndërtuar në kundërshtim me ligjin.

"Puna dhe masat për sezonin turistik nuk kanë filluar tani. Në vlerësim të detyrave të përcaktuara nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Ministri i Brendshëm, lidhur me mbrojtjen e territorit, zbatimin rigoroz të Kodit Penal nga aktivitetet e paligjshme si zaptimi i plazheve, ndërtimet pa leje, prerja dhe djegia e pyjeve, prekja e lumenjve dhe liqeneve, dëmtimi i zonave të mbrojtura natyrore dhe kulturore, mbrojtja e zonave turistike dhe marrja e masave parandaluese nga këto aktivitete të paligjshme në akset kryesore rrugore në të gjithë vendin, u evidentua situata në terren dhe u ngritën Task Forcat vendore të Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

Në bazë të një Plani Pune të studiuar dhe bashkërenduar mirë, filloi puna për mbështetjen e IKMT-së, për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në disa zona turistike në të cilat u evidentuan paligjshmëri.

Nga fillimi i kësaj detyre deri në datën 30 qershor 2021, nga strukturat policore janë evidentuar 324 vepra penale në fushën mjedisore, në të cilat janë të implikuar 354 autorë, nga të cilët 40 të arrestuar në flagrancë".

Nga strukturat policore janë evidentuar 324 vepra penale në fushën e ndotjes së mjedisit, në të cilat janë të implikuar 354 autorë, nga të cilët 40 të arrestuar në flagrancë.

Deri tani janë proceduar penalisht për veprën penale “Pushtimi i tokës”, 45 persona, janë hequr rreth 5,955 mijë shezlongë e 2,445 çadra të vendosura në mënyrë të kundërligjshme, ndërkohë që operacioni do të vazhdojë deri më 15 shtator.