Maqedonia e Veriut ndalon të kalojnë në Qafë Thanë punonjësit sezonalë nga Shqipëria
Më shumë se 150 shqiptarë, punonjës sezonal në Maqedoninë e Veriut nuk janë lejuar mëngjesin e së premtes të kalojnë në shtetin fqinj nga pika kufitare e Qafë-Thanës.
Kjo situatë ka shkaktuar një gjendje kaosi te punëtorët sezonalë, kryesisht nga juglindja të cilët sigurojnë të ardhurat me punë në Maqedoninë e Veriut.
Mbeten ende të paqarta shkaqet e kësaj ndalese, por sipas burimeve thuhet se një shtetas shqiptar , punonjës sezonal ka humbur jetën në Maqedoni dhe mungesa e siguracionit e kontrata e punës ka bërë që të ashpërsohen kontrollet duke vendosur barrierë për udhëtarët.
Të njëjtat burime saktësojnë se para 3 ditësh një shtetas shqiptar ka humbur jetën teksa punonte në pyll, si pasojë e rrëzimit të disa drurëve që e kanë zënë poshtë.
Nisur nga kjo situatë drejtues te doganës shqiptare dhe asaj maqedonase janë mbledhur në Qafë-Thanë për të diskutuar për këtë problematikë, por të paktën deri më tani nuk ka ende një vendim.
Qindra punonjës shqiptarë punojnë çdo ditë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ata nisën në mëngjes dhe kthehen përsëri në darkë në shtëpitë e tyre.

