Pikëpyetje për pasurinë, gjyqtarja Iliopullo mes lotësh: E vetmja minoritare në sistemin e drejtësisë, të ribëhet analiza
Gjyqtares së Gjirokastrës, Mirela Iliopullo, i rezultojnë parregullsi në deklarimin e pasurive. Tre troje, një apartament dhe shkollimi i vajzës janë parë me dyshim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Edhe pse ajo deklaroi se është përfaqësuesja e vetme në sistemin e drejtësisë si dhe kërkoi rillogaritjen e shpenzimeve, trupa vendosi të mos marrë parasysh kërkesat.
Mirela Iliopullo me funksion gjyqtare në rrethin Gjirkokastër prej dy dekadash para trupës së vettingut ka deklaruar se është e vetmja përfaqësuese e minoritetit në sistemin e drejtësisë.
Me një bilanc negativ prej 11 milionë lekësh, trupa gjykuese hodhi dyshimet për pamjaftueshmëri burimesh financiare dhe se ka tentuar të fshehë pasurinë.
Tre troje në Gjirokastër, Sarandë dhe Dropull, një nga të cilat pas zgjidhjes së martesës i ka kaluar në pronësi, nuk rezultonin të deklaruara as në ILDKPI dhe as në deklaratën vetting.
Avokatja e gjyqtares është justifikuar me faktin se sipërfaqja është ende në pronësi të bashkisë së Gjirokastrës edhe pse sipas Komisionit në të është dhënë leje për ndërtimin e një karburanti.
E pa deklaruar ishte dhe një kontratë porosie për një apartament në Gjirokastër.
Në vitin 2016 gjyqtarja e ka bërë të ditur në formularin e pasurisë por që më pas ka kaluar në emrin e babait të saj.
Edhe për këtë trupa theksoi nuk provohet se nga vijnë të ardhurat. Kostoja e shkollimit të vajzës në Greqi dhe SHBA gjithashtu nuk ishin deklaruar nga Iliopullo dhe për këtë argumentoi se shpenzimet mbulohen nga bashkëjetuesi i saj dhe bursat e marra gjatë studimeve.
Mes lotësh gjyqtarja kërkoi para komisionerëve të bëjnë një rivlerësim të pasurisë pasi pretendoi se në analizë janë llogaritur shpenzimet e ish-bashkëshortit me të cilin nuk jeton më që prej 2011-ës si dhe theksoi se e vetmja pasuri që zotëron është një zyrë e lënë me qira.

