Takimi me kryebashkiakët/ Haxhimali: Rama t’u bëjë ‘dush të ftohtë’ institucioneve të tij qendrore

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, kreu i shoqatës së bashkive Agron Haxhimali, ka komentuar takimin e Kryeministrit Edi Rama me Kryetarët e Bashkive.

Sipas tij reforma për prokurimet publike është bërë shumë kohë përpara se Kryeministri Rama të vinte në pushtet, teksa shton se nuk e ka fajin sistemi i prokurimeve pse ndodh korrupsioni në Bashki.

Ai thotë se Rama, fillimisht duhet të tregohej kritik ndaj institucioneve të tij qendrore, pasi sipas tij korrupsioni te ta është më i lartë se tek pushtet vendore.

"Reforma për prokurimet publike është bërë shumë kohë përpara se Kryeministri Rama të vinte në pushtet ku krijuam sistemin e digjitalizuar që aplikimet të bëheshin online dhe në atë kohë pati një lloj progresi. Nëse institucionet pranojnë të jetën në një frymë të përbashkët horizontale dhe vertikale, që duhet të korruptohen për interesa politike për interesa të tjera, korrupsioni ndodh dhe këtu nuk e ka fajin sistemi i prokurimeve. I qëndroj faktit se  sistemi ka sa më shumë nevojë të përmirësohet por nuk gjykojë që nëse ne reformojmë sistemin e prokurimit nga ana e teknologjisë gjërat zgjidhen.

Nuk mendoj se ligji është i keq, por problem, është sa vullnet ke ti ta zbatosh ligjin me pikmëri. Nuk ka garë nuk ka transparencë, ka nepotizëm, ka klientëlizëm, por ajo që të bën përshtypje është se Kryeministri zgjodhi pushtetarët vendorë, por mos të harrojmë se bashkitë e Shqipërisë, janë institucione kushtetuese, janë institucione të pavarura, sigurisht se do të përgjigjen aty ku i kanë bërë gabimet e tyre, por mendoj se

Kryeministri e Shqipërisë, pavarësisht se i bëri një ‘dush’ të ftohtë vendorëve sot, ai duhet ta bënte këtë dush të ftohtë për institucionet e tij qendrore, sepse masa e korrupsionit është shumë herë më e lartë në institucionet qendrore sesa në pushtetin vendorë.

Këtu nuk kam ndërmend të mbroj korrupsionin edhe për një qindarkë të asnjërës Bashki, por mendoj se është më mirë të krijojë sistemin duke filluar nga vetja, pastaj t’u kërkoj llogari pushtetarëve vendor. Kryeministri duhet ta kishte ndryshuar sistemin me kohë, që kur erdhi në pushtet. Është e pafalshme që këtë reagim, kaq të drejtpërdrejt, kaq kritik, e ka toleruar për 8 vite."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.