Aksidenti me 2 viktima në Elbasan, 4 vite burg shoferit, prokurori: Do ta ankimoj! Mamaja: Si nuk permbyset kjo botë!
Gjykata e Elbasanit dënoi me 4 vite burg Behar Pemën, si shkaktar të aksidentit tragjik të 13 shtatorit 2020 në dalje të tunelit të rrugës Tiranë- Elbasan ku humbën jetën dy vajza, ndërsa dy të tjera mbetën të plagosura rëndë.
58-vjeçari duke drejtuar makinën e tij në gjendje të dehur përplasi nga pas me shpejtësi mjetin me të cilat udhëtonin të rejat, e për pasojë mbetën të vdekura në vend Zheneta Qallia dhe Lusinda Garunja e cila atë ditë festonte ditëlindjen.
Prokurori Binaz Nina kishte kërkuar 6 vite burg, ndërsa ka paralajmëruar ankimimin e vendimit të dhënë nga treshja e gjyqtarëve Miranda Konica, Pajtime Fetahu dhe Zamira Vyshka.
Burime pranë Gjykatës së Elbasanit thanë se si argument në këtë vendim janë përdorur deklarimet se autori kishte marrë faljen e familjarëve të viktimave.
Por i menjëhershëm dhe i fortë ishte reagimi për vendimin i nënës së Lusinda Garunjës.
Ajo thotë se ata ia lanë drejtësisë dhe nuk kërkuan vetëgjyqësi, por 2 jetë sipas saj vlejtën vetëm katër vite burg.
“Me 13 shtator ne ditëlindjen tende Lusi, fryma e jeta jeme, ta moren jeten padrejtesisht… ne nje dite kur si cdo e re don me e gezu, ti me erdhe e pajete e veshun si nuse, ashtu si cdo nane don me e pa bijen e vet, por ne arkivolin e ftofte… E dje ty e shoqen tande Xheni te vrane per se dyti… ia lame ne dore drejtesise e nuk kerkume vetegjygjesi, e jeta dy vajzave te vdekuna dhe e dy te tjerave qe shpetune nga dora e Zotit vlejti vetem 4 vite denim per autorin… Si mundet me ndodh e si nuk permbyset kjo bote….Edhe sa gjame duhet me ndodhe qe i papergjegjshmi me marre denimin e meritum e mos me e pesu edhe shum familje te tjera dhimbjen tone”, - shkruan ajo.
Sipas ekspertizës, Behar Pema e goditi makinën me të cilën katër vajzat me shpejtësi 160 kilometra për orë, ndërsa sipas dëshmisë së të mbijetuarave ai kishte kryer manovra të rrezikshme gjatë gjithë rrugës.

