Rama "kërcënon" kryebashkiakët: Mos u përzini me procese tenderash, mos luani me zjarrin përvëlues!

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë me Kryetarët e Bashkive u sugjeroi këtyre të fundit që të mos përzihen me proceset e prokurimeve publike, duke favorizuar pjesëmarrësit.

Rama tha se ata që e bëjnë një gjë të tillë, por luajnë me një zjarr përvëlues dhe se PS do të jetë në mbështetje të drejtësisë së re për këdo që shkel ligjin.

Rama: Ju sugjeroj dashamirësisht që të mos përziheni me proceset e prokurimeve publike, të mos influenconi me pushtetin tuaj me favorizimin e njërit apo tjetrit. Të mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më shumë përvëlues, në kushtet kur drejtësia e re do të ketë gjithë mbështetjen time dhe të PS-së kundër kujtdo që do të luajë me zjarrin.

Rama përmendi edhe shifra lidhur prokurimet në bashki, ku tha se për vitin 2020-2021 85.5% e tyre janë me probleme.

Rama: Ja problematikat kryesore në bashkitë tuaj për prokurorimet publike për vitin 2020-2021. Nga janari 2020 janë asistuar nga Agjencia e Prokurorime Publike plot 1275 procedura të publike nga bashkitë. Asistenca e Agjencisë është një asistencë teknike që u vjen në ndihmë autoriteteve kontraktore që kanë sy për të lexuar dhe tru për të vepruar. Nga këto procedura 88.5% të procedurave janë me problematike në hartimin e kritereve. Për këtë arsye bashkive u janë dërguar rekomandime.

Pavarësisht rekomandimeve nga Agjencia e Prokurorime Publike, Rama shtoi se 52.5% e bashkive në vend nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim për rekomandimet teknike të bëra nga Agjencia.

Rama: 52.5% e bashkive në vend nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim për rekomandimet teknike. Tani është fakt botërisht se hartimi i kritereve të veçanta, ose shqip, qepja me dorë e tenderit si kostum me porosi, e cenon nivelin e pjesëmarrjes dhe drejtësinë e konkurrencës së operatorëve ekonomike në këto prokurorime. Është një teknikë grabitqare dhe përjashtuese.