Vermoshi po digjet, flakët jashtë kontrollit, zjarret përfshijnë edhe Lushnjën e Kurbinin
Një zjarr i përmasave të madha ka përfshirë pyjet në kufi mes Shqipërisë e Malit të Zi në Vermosh. Për të shuar flakët, kërkohet ndërhyrje nga ajri, pasi zjarri po del nga kontrolli.
Pamjet në video tregojnë përmasat e zjarrit që ka përfshirë pyjet e Vermoshit në afërsi të pikës kufitare të Gerçanit mes Shqipërisë e Malit të Zi.
Vatrat janë aktive prej të enjtes dhe vijojnë të përhapen me shpejtësi duke u favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Orë pas ore situata përkeqësohet dhe flakët po dalin jashtë kontrollit duke rrezikuar qindra hektarë pyje në zonë.
Forcat zjarrfikëse të Repartit të Koplikut thonë se vetëm një ndërhyrje nga ajri mund të ndikonte për të vënë flakët nën kontrolle, pasi nga toka është gati e pamundur.
Ndërkohë një sipërfaqe me shkurre u përfshi nga flakët në lagjen Çlirim të Lushnjes, ku flakët rrezikuan disa shtëpi aty pranë!
Vetëm pak ditë më parë në kurorën e Gjelbër të Lushnjes u dogjën rreth 500 rrënjë ullinj dhe një sipërfaqe prej 10 hektarësh.
Mbi 25 hektarë u dogjën në Parkun Kombëtar të Tomorrit që ishte për 9 ditë në flakë!
Disa ditë vijoi lufta me flakët edhe në Vithkuq të Korçës ku u dogjën disa hektarë sipërfaqe pyll e shkurre, ndërsa raste të zjarreve në pyje janë shënuar edhe në Kurbin, Vlorë e Gjirokastër.
Pjesa më e madhe e rasteve kanë qenë zjarrvënie të qëllimshme ose aksidentale edhe pse kjo është vepër penale dhe ndëshkohet me ligj.
