Përmbyset kamioni me dru dhe zë poshtë drejtorin e pyjores në Maliq, trupi i pajetë nxirret nga banorët
Marsel Nazifi, 38-vjeç, drejtor i Pyjores në Bashkinë e Maliqit ka humbur jetën pasi një kamion i ngarkuar me dru me të cilin udhëtonte është rrëzuar duke e zënë poshtë.
Një aksident i rëndë është shënuar në afërsi të fshatit Dushar në Lozhan të Maliqit mesditën e së premtes.
Marsel Nazifi, 38-vjeç, drejtor i Pyjores në Bashkinë e Maliqit ka mbetur i vdekur nga ky aksident.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi një kamion i drejtuar nga S.G i ngarkuar me dru është përmbysur, duke i shkaktuar vdekjen Nazifit që ka qenë pasagjer në mjet.
Burimet thanë se Nazifi është hedhur nga mjeti për të shpëtuar kur ka parë se kamioni po rrëzohej, por ai është zënë poshtë tij duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
"Më datë 09.07.2021, rreth orës 12:40, në fshatin Lozhan, Maliq, në një rrugë malore është përmbysur, mjeti tip kamion i markës "Benz" me drejtues shtetasin S. G. dhe për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi M. N., 36 vjeç, pasagjer në këtë mjet" njofton policia.
Forcat zjarrfikëse bashkë me policinë kanë bërë disa orë rrugë për të mbërritur në vendin e ngjarjes, pasi vendi i aksidentit ka qenë mjaft i largët, ndërsa mësohet se trupi i pajetë është nxjerrë nga banorë të fshatit.



