''Delta'' edhe në Shqipëri? Manastirliu: ISHP ka sinjale për prezencë të variantit indian

Varianti indian i Covid-19 mund të ketë mbërritur në Shqipëri. Ministrja e shëndetësisë njoftoi se ISHP ka identifikuar disa mostra që mund t`i përkasin variantit delta ndërsa bëri thirrje për vaksinim.

Autoritetet shëndetësore kanë sinjale se në Shqipëri mund të qarkullojë varianti delta i Covid-19.

Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se në institutin e shëndetit publik janë identifikuar disa mostra të pazakonta të cilat janë dërguar në gjermani për vlerësim të mëtejshëm.

Manastirliu: Në institutin e shëndetit publik janë duke u bërë analizat dhe është vlerësuar që një seri mostrash, të cilat janë identifikuar si sinjale të pazakonta, të çohen në laboratorin e referencës në gjermani, për të bërë vlerësimet e mëtejshme dhe për t’u bërë sekuencimi genomik, në mënyrë që të shihet nëse ka një qarkullim të mundshëm të variantit delta në Shqipëri.

Për të siguruar mbrojtje ndaj Covid-19 dhe varianteve të reja Manastirliu bëri thirrje për vaksinim.

Nga Sauku ku ndoqi nga afër procesin e vaksinimit ministrja e shëndetësisë njoftoi se duke nisur nga kjo fundjavë njësitë e lëvizshme do të jenë nëpër shqipëri për të vaksinuar qytetarët.

Ndërkohë, para pak ditësh Ora News raporti për dy raste në Gjirokastër të dyshuar si rastet e para në vend me këtë variant të Covid-19, por ISHP e mohoi një gjë të tillë.