Lojëra fati dhe drogë në lokal, “Gjysmëfinalja” arreston tre persona në Shkodër

Në vijim të operacionit policor “Gjysmëfinalja” janë arrestuar tre persona në Shkodër. Uniformat blu bëjnë me dije se të arrestuarit kishin përshtatur lokalin për organizmin e lotarive të palejuara dhe përdorimin e lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit u bë arrestimi i shtetasve "E. L., 21 vjeç, banues në Jubicë, Koplik dhe E. C. 46 vjeç, banues në Llazan, Koplik, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshëm”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”;

L. R. 27 vjeç, banues në Bajze, Malësi e Madhe, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale  ose veprimtarisë kriminale," informon policia. 

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia gjeti makineri për lojërat e fatit, një tavolinë pokeri me letra bixhozi dhe çipsa.

Gjithashtu, gjatë kontrolli të ushtruar në ambientet e ndryshme të lokalit u gjetën disa qese farmaceutike me lëndë narkotike cannabis sativa dhe një peshore e vogël.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit L. R iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis.

Si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 160 doza me lëndë narkotike cannabis sativa, një sasi e vogël lënde narkotike në formë çokollate, 5 makineta për lojërat e fatit, 1 tavolinë pokeri, 1 kuti me çipsa dhe 4 aparate celulare. 

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.