"100 ditët"/Ardi Veliu nis numërimin, shkarkohet nga detyra shefi i komisariatit të Sarandës, Syrja Bello
Pa kaluar 24 orë nga paralajmërimi i Kryeministrit Rama për Policinë e Shtetit, ka ardhur edhe shkarkimi i parë nga detyra. Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, firmosi largimin e shefit të komisariatit të Sarandës, Syrja Bello, duke e zëvendësuar këtë të fundit me Klodian Kondit, i cili deri më tani mbante detyrën e shefit të hetimit të vrasëve të drejtorinë e policisë së Tiranës.
Dita e premte pati zhvillime të shumta. Kryepolici Ardi Veliu mbajti një takim me të gjithë shefat e komisariateve dhe zv. drejtorët, ku është diskutuar mbi tematikat e shtruara më herët nga shefi i ekzekutivit Rama. Burimet bëjnë të ditur se në të njëjtën linjë, Veliu ka kërkuar rikthimin e besimit të policisë tek qytetarët brenda 100 ditëve.
Në rast se nuk do të japin rezultat, Drejtori i Policisë ka kërkuar nga vartësit që të dorëhiqen. Ende nuk dihet se cilët do të jenë oficerët që do të shënjestrohen nga reforma e paralajmëruar, por Rama përmendi rastet e efektivëve që i quajti pa etikë, ata që luajnë me dy porta duke nënkuptuar kështu bashkëpunimin me krimin.
Ende nuk dihet nëse paralajmërimi i Kryeministrit vlen edhe për Ardi Veliun. Ky i fundit ka qenë shpesh herë edhe pre e sulmeve të opozitës e cila ka kërkuar disa herë largimin nga detyra, sidomos pas vrasjes së Klodian Rashës.
Ai është drejtuesi më jetëgjatë në tetë vite të qeverisë, duke mbajtur detyrën që nga koha kur Ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj.
Rama tha se për ngjarjen duhet të ishte shkarkuar gjithë kupola e policisë në Sarandë dhe të ndiqeshin penalisht.
Rama: Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin e tejkalojnë orën policore. Krijojnë hapësirë abuzimi që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë. Këta janë tutorët e policisë në atë territor. Këta janë korruptuesit e policisë së shtetit. Janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e policisë së shtetit që tërheqin prej hunde ponicë e shefa komisariatesh duket i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm. Rasti i Sarandës ishte alarmant. Ai rast duhet të çohet në ndëshkimin penal të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë.
Ndërkohë, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka zhvilluar ditën e sotme në mëngjes një takim me shefat e komisariateve.

