Bizneset takim me prefektin e Vlorës kërkojnë shtyrjen e orarit të muzikës deri në 24:00, paralajmërojnë protestë
Përfaqësuesit e bizneseve në Vlorë kanë patur mëngjesin e sotëm takim me prefektin e qarkut të Vlorës ku kanë kërkuar shtimin e fashës orare të muzikës nga ora 22 deri në 24.
Pas përfundimit të takimit përfaqësuesit kanë folur për medien ku kanë thënë se nuk kanë gjetur dakordësinë për zgjatjen e orareve.
Ata e kanë quajtur qesharake faktin që nuk lejohet muzika përtej orës 22 kur në Tiranë dhe madje në Vlorë me qindra veta çdo ditë shikojnë ndeshjen deri në 23:30.
''Ne si biznese turistike në Vlorë jemi ngritur dhe bashkuar për problematikën e orarit të muzikës. Sa i takon deklaratave të kryeministrit me policinë, ne na dogji një gjë: që na përgjithësuan me problematikën që ndodhi në Sarandë. Ne si biznese kemi qenë shembull në këtë drejtim dhe nuk ka ndodhur një gjë e ngjashme. Jemi pro që krimi të ndëshkohet, por orari dhe kufizimi i muzikës nuk ka logjikë. Kërkesa jonë është se të shtyhet orari sipas një orari të shëndetshëm. Nuk është normale që muzika të mbyllet në 22:00 dhe qyteti të bëhet si një vaki. Ne kemi kërkuar që muzika të lejohet së paku deri në 24:00, se ka edhe disko jashtë qyteti që nuk shqetëson njeri. Ne do të protestojmë nëse kërkesat tona nuk respektohen. Deklarata e zv. Ministres Rakacolli për muzikën janë qesharake, sepse njerëzit po mblidhen për të parë ndeshjen. Ne duam një sezon turist të shëndetshëm për turistët.''
Përfaqësuesit shprehen se urdhri i ri i shpalosur sot nga prefekti i Vlorës, me kërkesë të kryeministrit, deklaron se bizneset duhet të kufizojnë të ardhurat deri në 30%, kjo sipas tyre përkthehet në 70% staf të reduktuar të punës dhe falimentim të biznesit.
Bizneset deklarojnë gjithashtu se nëse nuk zgjatet orari i muzikës dhe aplikohet norma 30% atëherë bizneset do të mbyllin dyert dhe do të protestojnë në vijimësi.
Nga ana tjetër prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj deklaron se nuk bëhet fjalë të shtyhet orari i muzikës dhe masat do të vijojnë të zbatohen nga të gjitha bizneset.
Teksa ai iu shmang pyetjes përsa i përket shikimit të ndeshjeve të Euro 2020 duke u shkelur masat anti Covid.
"Nuk mund ta komentoj se unë jam përfaqësues i qeverisë dhe jam në respektim të ligjeve të shtetit shqiptar. Ajo që biseduam me bizneset dhe u vura në vëmendje bizneseve të cilat kanë kërkesat e tyre për oraret dhe lëvizjen. Unë i dëgjova kërkesat e tyre dhe u kërkova që të zbatojnë ligjet dhe masat e vendosura në kuadër të pandemisë. Bizneseve ua kam bërë të qarë se pas orë 22:00 nuk do të ketë muzikë, as në sfonde. Ndërsa aktivitetet e tjera kulturore, do të ketë një pjesëmarrje 30%.''

