Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha se Turqia duhet të ndalë kërcënimet.

Deklarata e tij vjen pas palajmërimeve nga NATO-ja se të dyja vendet janë pajtuar për të nisur dialogun për uljen e tensionit në Mesdheun lindor.

“Kërcënimet duhet të shuhen në mënyrë që kontaktet të fillojnë. Greqia e dëshiron dialogun, por pa shantazhe”, tha Mitsotakis.

Ai tha se ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, do të informojë më vonë të premten Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres mbi “veprimtarinë e paligjshme” të Turqisë.

Greqia mohoi të enjten vonë se kishte rënë dakord të zhvillonte bisedime me Turqinë, të ndërmjetësuara nga NATO -ja, për të ulur tensionet mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të gazit dhe naftës në rajon.

“Informacioni i botuar që pretendon se Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord të mbajnë të ashtuquajturat ‘bisedime teknike’ mbi uljen e tensioneve në Mesdheun lindor nuk kanë të bëjnë me realitetin”, tha ministria e Jashtme e Greqisë.