Instituti kanadez “Fraser”: Shqipëria e para në rajon dhe e 31-ta në botë për lirinë ekonomike

Instituti kanadez “Fraser”: Shqipëria e para në rajon dhe

Shqipëria pozicionohet në vendin e 31-të mes 165 vendeve në total në “Indeksin e Lirisë Ekonomike” për vitin 2023, tregojnë të dhënat e publikuara nga instituti kanadez “Fraser Institute”.

Kjo renditje e pozicionon Shqipërinë jo vetëm në krye të vendeve të rajonit, por gjithatshu vendi ynë kryeson edhe disa prej shteteve më të zhvilluara në Europë duke u klasifikuar mes shteteve më të lira.

Ky indeks mat masën gjithëpërfshirëse të qëndrueshmërisë së institucioneve dhe politikat ekonomike të një vendi. Liria ekonomike, sipas raportit është një koncept i bazuar në pronësinë vetjake.

Të dhënat e indeksit tregojnë se shkalla e lirisë ekonomike matet në pesë fusha të gjera të cilat përfshijnë Shpenzimet e Qeverisë dhe Normat e taksave, Sistemi Juridik dhe të Drejtat Pronësore, Qëndrueshmëria e monedhës vendase, Liri për Tregti Ndërkombëtare dhe Rregullatori i kredisë, punës dhe biznesit.

Raporti thekson se të dhënat në këtë edicion i referohen vitit 2021. Sipas indeksit duket se kemi një përmirësim, krahasuar me edicionin e vitit të kaluar, pasi jemi rritur me një pozicion dhe po ashtu kemi rritje edhe në pikëzim.

Shifrat e vitit 2020 tregojnë se Shqipëria renditej në vend të 32-të dhe kishte grumbulluar gjithsej 7.59 pikë, ndërkohë këtë vit vlerësohemi me 7.60 pikë.

Në nivel rajoni, vend i cili ndjek Shqipërinë në këtë renditje është Mali i Zi në vend të 32 me 7.59 pikë të grumbulluara. Ndjek në renditje Maqedonia e Veriut në vend të 65-të dhe pasohet nga Serbia në vend të 76-të.

Në fund të rajonit gjejmë të pozicionuar Bosnjë-Hercegovinën në vendin e 82-të. Këtë indeks e kryeson Singapori me 8.56 pikë, ndjekur nga Kina dhe Zvicra. Në vend të fundit gjejmë të renditura vende si Venezuela.

Nëse do të analizonim pesë fushat mbi të cilat ndërtohet ky indeks shohim se Shqipëria ka pozicionimin më të mirë sa i përket qëndrueshmërisë së monedhës, duke u renditur në vend të nëntë, megjithëse krahasuar me vitin 2020 kemi rënë në pozicion.

Një pozicion tjetër pozitiv ruajmë sa i përket lirisë për tregti ndërkombëtare duke u renditur në vend të 15-të.

Tv Scan citon, referuar të dhënave të publikuara nga instituti kanadez “Fraser Institute”, se “sa i përket shpenzimeve të qeverisë Shqipëria renditet në vend të 26 mes 165 vendeve në total”. 

EMISIONET