Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv për akses të qeverisë në IA

Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv për akses të qeverisë

Agjencitë qeveritare amerikane do të marrin akses paraprak deri në 30 ditë, në modelet e reja të fuqishme të inteligjencës artificiale, sipas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar dje nga presidenti Donald Trump.

Në vend që të vendosë një detyrim të drejtpërdrejtë për kompanitë e IA-së, urdhri i bën thirrje qeverisë federale dhe industrisë që të krijojnë një “kuadër vullnetar” për rregullimin e këtij aksesi.

Nënshkrimi i urdhrit u nxit më herët, për shkak të rezistencës së raportuar nga kompanitë e inteligjencës artificiale.

Një version i mëparshëm, i cili pritej të nënshkruhej muajin e kaluar, parashikonte që qeveria të kishte akses ekskluziv për 90 ditë në modelet e reja të IA-së.

Përfaqësues të industrisë thuhet se kanë paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë, se një periudhë kaq e gjatë ekskluziviteti, mund t’i vendoste kompanitë amerikane në disavantazh konkurrues ndaj rivalëve, përfshirë kompanitë kineze.

Debati mbi rreziqet dhe potencialin e inteligjencës artificiale është rikthyer së fundmi pas publikimit të “Mythos Preview”, një mjet softuerik i zhvilluar nga kompania “Anthropic”.

Sipas kompanisë, ky model IA-je, ka identifikuar dobësi në sisteme të ndryshme softuerike, disa prej të cilave kishin mbetur të pazbuluara për dekada.

Ekspertët paralajmërojnë se, këto aftësi mund të shndërrohen në armë të fuqishme kibernetike, nëse janë në duar të gabuara.

Në të njëjtën kohë, teknologjia mund t’i japë SHBA-së një avantazh në forcimin e sistemeve të saj dhe në shfrytëzimin e dobësive të mundshme, në softuerët e huaj për qëllime inteligjence.

“Anthropic” deklaroi se nuk planifikon ta lançojë “Mythos Preview”, por ta vërë atë, në dispozicion të kompanive teknologjike dhe agjencive qeveritare.

Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të përdoret në shkallë të gjerë nga kriminelët online, për kryerjen e sulmeve kibernetike.

Gjatë presidencës së Joe Biden, kompanitë e IA-së, ishin subjekt i kërkesave më të rrepta për vlerësimin e sigurisë së sistemeve të tyre.

Trump, më vonë i shfuqizoi këto rregulla, duke argumentuar se ato dëmtonin konkurrueshmërinë e industrisë amerikane të inteligjencës artificiale. 

EMISIONET