"SHBA në krizë!"/ Bilalli: Rejtingu i Trump në fund, rritet pakënaqësia brenda vendit

Në një lidhje direkte në Ora News, në hapësirën “Për shqiptarët”, ishte eksperti i gjeopolitikës dhe ish-diplomati Lutfi Bilalli, i cili foli për zhvillimet e fundit në politikën amerikane dhe ndikimin e tyre në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, veprimet e presidentit Donald Trump po përballen me kritika të forta jo vetëm jashtë vendit, por edhe brenda vetë Shteteve të Bashkuara.

Ai përshkroi një situatë ku deklaratat dhe qëndrimet e Trump po krijojnë pasiguri, ndërsa kundërshtimi ndaj tij është rritur ndjeshëm.

“Ka kritika shumë të mëdha në SHBA për mënyrën si po vepron. Rejtingu i tij është në pikën më të ulët dhe pakënaqësia është e dukshme.”-tha ai.

Bilalli u ndal edhe te deklaratat e fundit të Trump ndaj liderëve ndërkombëtarë dhe përfshirja e tij në çështje të ndjeshme globale, duke i cilësuar si të paqëndrueshme dhe shpesh të pakuptueshme.

Sipas tij, kjo situatë e bën të vështirë të kuptohet nëse kemi të bëjmë me një strategji të menduar apo një qasje të pakontrolluar.

“Duket sikur është i ndikuar nga politika e lobimit të një shteti që kërkon tension në Lindjen e Mesme. Kjo shihet edhe nga aleatët dhe brenda vetë Amerikës.”- shtoi ai.

Ai ngriti edhe një shqetësim më të gjerë për mënyrën se si po merren vendimet strategjike, duke përmendur ndikimin e aktorëve të jashtëm në informacionet që arrijnë te presidenti amerikan.

Në fund, Bilalli bëri një dallim të qartë mes rolit të SHBA si shtet dhe figurës së liderit që e drejton atë, duke e konsideruar këtë si një nga sfidat kryesore të momentit.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

EMISIONET